Dy bashki të tjera në ‘rrjetën’ e inceneratorëve/ Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kapin dhe Patosin me Roskovecin

Bashkia e Patosit dhe Roskovecit kanë rënë në rrjetën e inceneratorëve të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Këto dy bashki do të dërgojnë mbetjet urbane te inceneratori i Fierit, ndërsa kanë paralajmëruar rritje të taksave për qytetarët me qëllim që të përballojnë kostot për djegien e plehrave.

Pak ditë pasi Kryeministri Edi Rama, kritikoi kryetarët e bashkive për menaxhimin e dobët të mbetjeve urbane, duke u sugjeruar që të lidhin kontrata me inceneratorët, disa nga drejtuesit e pushtetit lokal nuk kanë humbur kohë për të bërë marrëveshje me Klodian Zoton.

Bashkia e Roskovecit dhe ajo e Patosit, kanë lidhur marrëveshje me inceneratorin e Fierit, në pronësi të Zotos. Sipas Maksi Gogës, nënkryetar i bashkisë së Roskovecit, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm mbetjet urbane të kësaj bashkie do të digjen te inceneratori i Fierit.

Ndërkohë, Patosi ka nisur që tani të dërgojë mbetjet urbane te inceneratori i Klodian Zotos. Këtë gjë e konfirmoi Vangjel Nushi, drejtor i shërbimeve në këtë bashki, i cili u shpreh se shpenzimet do të përballohen nga buxheti i bashkisë.

Por asnjë nga dy zyrtarët e bashkive, Roskovec dhe Patos, nuk tregon se sa është vlera e kontratës që këto institucione kanë lidhur me inceneratorët për të dërguar mbetjet urbane në zonat respektive. Nga ana tjetër, nënkryetari i bashkisë së Roskovecit, pranon se dërgimi i mbetjeve në incinerator do të pasohet me rritje të taksave për qytetarët.

Disa ditë më parë, edhe kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailja konfirmoi për syri televizion se nga janari do të dërgojë mbetjet urbane në inceneratorin e Fierit. Gjithashtu, Ismailaj paralajmëroi se për bizneset e mëdha në këtë bashki do të ketë rritje të taksave, me qëllim përballimin e kostove për djegien e mbetjeve në inceneratorin e Klodian Zotos.

/Burimi: Syri Tv/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *