“Do digjitalizoni Akademinë e Barinjve”/ Belind Këlliçi ‘tall’ politikat fiskale: Satelitët i kemi të çojmë farën e kosit në orbita të tjera

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi,  ka diskutuar ditën e sotme në parlament rreth projektbuxhetit të vitit të ardhshëm në Kuvend, ku shprehu publikisht votën e tij kundër duke renditur dhe argumentet e një vendimi të tillë.

Këlliçi është shprehur kundër taksës në bujqësi duke e justifikuar me arsyetimin se kjo gjë sjell nxitje të importit dhe do të vendosë në vështirësi prodhuesit vendas.

Deputeti nuk harroi gjithashtu të ironizonte politikat fiskale, duke thënë se Partia Socialiste e ka gjetur zgjidhjen për problematikat përmes ngritjes dhe digjitalizimit të “Akademisë së Barinjve”, ku satelitët do të gjejnë treg në orbitat e tjera për farën e kosit.

Fjala e Këlliçit:

“Flisni për bagëti apo për bujqësi, ku ulja e TVSh-së shkon nga 6% në 0%, dhe sigurisht keni parë dhe reagimin e grupeve të interesit, kjo e dëmton rëndë blegtorinë. TVSh-ja edhe sikur të hiqet, impaktin nuk e jep më shpejt se 6 muaj qapo 1 vit. Prezantuat taksën 100 lekë për qumështin pluhur dhe pastaj e hoqët, donit të taksonit qumështin pluhur që është lëndë e parë. Ndërkohë që do të lejoni të futen pa taksë të gjitha nënproduktet e qumështit pluhur. Kujt i shërben kjo do të pyesin qytetarët? Lobingjeve të importit i shërben më së miri. Ja kujt i shërben. Ka një tregues tjetër këtë që është vendosja e TVSH-së 10% për input-et bujqësore, që penalizon bizneset vendase. Taksat për bujqësinë do të nxisin importin. Por ju e keni zgjidhjen, do të digjitalizoni Akademinë e Barinjve, ku fara e kosit do të jetë nënprodukti kryesor dhe me dy satelitët tuaj Albania 1 dhe Albania 2 do të kërkoni treg për fermerët në orbitat e tjera. Ju lutem kini një fije seriozitet pasi këtu nuk jeni në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ndaj unë do të doja të shtynit afatin e konsultimeve për paketën fiskale”, tha Këlliçi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *