Berisha prezanton kandidatët e PD për zgjedhjet e 6 marsit dhe konfirmon bashkëpunimin me LSI-në

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për mediat prezantoi gjashtë kandidatët e tij për kryetar bashkie që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se emrat e dalë nga primaret nuk janë të zgjedhur nga baza e partisë, por janë të votuar nga vetë demokratët. Më poshtë prezantimet e kandidatëve gjatë konforencës për mediat:

Bardh Spahia, Shkodër, mjek kirurg

Dje kam asistuar në një prej garave më të jashtëzakonshme. U bëra pjesë e një dite të historike, jo veç për PD, por për politikën shqiptare.

Gara e djeshme e realizuar nga struktura jonë e PD, ishte shpresëdhënëse për të ardhmen e cila riktheu edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme rëndësinë e votës së lirë të qytetarëve të lirë të këtij vendi. Kjo është e drejta absolute e tyre për të vendosur për ata që do ti përfaqësojnë ata në institucione lokale e kombëtare. Interes i jashtëzakonshëm i qytetarëve shkodranë që në orët e para të mëngjesit deri në orët e darkës.

Jam krenar unë dhe duhet të ndihet krenar çdo demokrat që u bë pjesë e një dite historike.

Vendimmarrja tani është kthyer tek qytetarët.

Ardian Muka, Durrës, urbanist

Përgëzoj të gjithë demokratët durrsakë të cilët në primaret e djeshme shprehën me votën e tyre, në një proces transparent, demokratik, vlerat më të mira qytetare dhe demokratike. Jam anëtar i PD prej 15 vitesh, dhe simpatizant prej 30 vitesh.

Sfida jonë në Durrës është pak e veçantë, pasi prej 22 vitesh ne nuk e kemi si e djathtë këtë qytet. Jam i bindur 100% që kësaj radhe Durrësi do të jetë i qytetarëve.

Elton Bano, Lushnjë, jurist

Kontributet e mia në PD kanë nisur që në vitet 1990. Që prej 1997 jam kontribuues edhe në fushatat e PD. Dje isha pjesëmarrës i një procesi të jashtëzakonshëm, i primareve, që demokratët votuan për kandidatin që ata menduan se do ti përfaqësojë me mirë në bashkinë e Lushnjes.

Falënderoj pjesëmarrësit në votime dhe kandidatët e tjerë që morën pjesë në garë. Do ta fitojmë bashkinë e Lushnjes dhe do ti rikthejmë qytetit vlerat që i kanë munguar. Qyteti im nuk është qyteti i krimit dhe korrupsionit, është qyteti i artit, kulturës, sportit, ngjarjeve historike. Është qyteti i kongresit të Lushnjes. Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e garës së 6 marsit.

Premtim Kryemadhi, Dibër, arsimtar

E kam nisur karrierën në PD, që në vitet 1990, duke mos kapërcyer hallkat. Kam qenë nënkryetar i PD-së në Dibër, kam drejtuar Këshillin Bashkiak, drejtorinë arsimore të Peshkopisë. I falënderoj demokratët e Dibrës që dje edhe pse në temperatura shumë të ulëta, erdhën dhe votuan masivisht edhe më shumë se ditën e referendumit.

Ne jemi menaxhuar keq nga qendra. Në 25 prill unë isha kryetar i KZAZ-së, dhe kishim më shumë se 2500 vota se herën e fundit, por ne përfaqësohemi me vetëm 1 deputet. Demokratët e Dibrës do ta marrin bashkinë në 6 mars.

Lulzim Vrana, Vorë, ekonomist

Jam pjesë e PD që në krijimin e saj. Jam fitues i primareve në Vorë.

Falënderoj të gjithë demokratët, jo veç ata që më votuan mua, po të gjithë ata që morën pjesë. Jam dhe do të jem përfaqësues i qytetarisë së Vorës. Do të jem gjithmonë përfaqësues i tyre.

Hekuran Xhani, Rrogozhinë, mjek veteriner

Student i dhjetorit 1990, anëtar i PD-së si në universitetin bujqësor të Tiranës, kur isha në shkollë edhe në vendin tim të banimit. Kam qenë sekretar i seksionit të Luzit të madh, që për 30 vite ka mbështetur PD-në.

Falënderoj grupin organizator për procesin e djeshëm. Garantoj të gjithë demokratët e Rrogozhinës se ashtu e ndershme siç ishte gara e djeshme, ashtu do të jenë edhe shërbimet që ata do të marrin nga bashkia.

Gjithashtu ish-kryeministri Berisha u shpreh se po negociohet edhe me parti të tjera.

‘Nuk ka liri të vërtetë pa votën e lirë. Dua të zotohem para jush se ky proces do të ridimensionohet dhe në të ardhmen do të përsoset me ekspertizën më të shkëlqyer. Shtetet e Bashkuara kryesojnë me praktikën demokratike. Ne kemi miq që kanë shprehur gatishmërinë dhe mbështetje për vendosje të primareve dhe gatishmëri për të asistuar forcën tonë politike në zbatimin e standardit të avancuar në përzgjedhjen e kandidaturave. Hapi që do të bëhet do të jetë cilësor pasi në të gjitha primaret, për veç kryetar partie do votojë me të drejtën e votës edhe simpatizantët. Besoj se PD nuk mund t’i garantojë shqiptarëve votën e lirë nëse ku ia garanton anëtarëve të saj. Para syve tuaj po ndodh një transformim i madh. I ftoj të gjithë anëtarët e PD ta shndërrojmë këtë energji, në një energji të fitores. Këta zotërinj janë të parët në historinë e vendit që dalin nga vullneti i lirë’, tha Berisha, ndërsa falënderoi Voltana Ademin për përkushtimin e saj.

A është Lëvizja Socialiste pjesë e koalicionit?

Berisha: Po është pjesë e koalicionit

Kush janë parti të tjera aleate?

Berisha: Po negociohen

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *