46-vjecari shqiptar Klodian Lekocaj rikthehet sërish në objektiv të policisë greke. Kësaj radhe ndaj tij është ngritur akuza e gjobëvënës ndaj një biznesmeni grek. Policia greke njoftoi zyrtarisht dje se ka ngritur akuzë ndaj shqiptarit, të cili i ka sekuestruar edhe telefon celular në qeli. Gjatë operacionit janë arrestuar ne zonën e Agia Varvara, Athinë edhe një çift grekësh 43 dhe 38 vjeç që vepronin nën urdhrat e Lekocajt, ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë të njohur me pseudonimet “For You” dhe “Linos”.
Lekocaj i akuzuar për porositjen e disa vrasjeve në Greqi, përfshirë dhe ngjarje të ndodhura brenda burgut, duket se jo vetëm që vazhdon aktivitetin e tij kriminal i patrazuar brenda qelisë, por tashmë ka arritur deri në krijimin e një bande gjobëvënësish me synim, sipas policisë, të vendosë nën kontroll shitjen e drogës në zonën e Agia Varvarës.
Përmes një video-telefonate Lekocaj ka shantazhuar një tregtar veshjesh në Agia Varvara duke i kërkuar 100 mijë euro. Në orën 17:10 të datës 1 mars, ai telefonon viktimën dhe i thotë në një bisedë të regjistruar nga policia: “Vendos paratë mbi shëndetin dhe familjen. Ti nuk kupton, përndryshe do të gjej një mënyrë tjetër…”
Sipas të dhënave të deritanishme, krimineli shqiptar i kërkonte 100 mijë euro tregtarit të Agia Varvarës dhe fillimisht kishte dërguar bashkëpunëtorët e tij në dyqan për ta kërcënuar dhe shpjeguar se kush qëndronte pas zhvatjes, duke i thënë “…është ai që vrau një djalë në Agia Varvara disa muaj më parë dhe goditi një tjetër me thikë”.
Viktima u përpoq t’i shpjegonte se nuk ka aq para për t’i dhënë, por sa herë e kontaktonte nga burgu, Lekocaj e kërcënonte gjithnjë e më shumë. Ai i thoshte se nuk është në të mirën e viktimës të japë gjysmën e parave, pra 50 mijë euro. Në fakt, policia regjistroi shqiptarin duke i thënë viktimës “…vetëm xhamat e dyqanit të të godas, me të madhin jo me të voglin, do të shkatërrohesh fare sepse xhamat dhe gjërat e tua janë padyshim 50.000 euro. Të intereson të vraposh spitaleve? Nëse më jep, do të fitosh nga unë. Më mirë të jemi miq, ndaj më jep një përgjigje të mirë.”