Zgjedhjet e 14 majit, Begaj takon zyrtaren e lartë të OSBE-së

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, Kreu i Shtetit, Bajram Begaj ka pritur këtë të premte Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Maria Schmid.

Pas takimit, Begaj vlerësoi rolin e Organizatës në këto momente kyçe që kontinenti evropian dhe rendi botëror po kalojnë, si dhe nënvizoi vullnetin e Shqipërisë si vend anëtar i organizatës, për të kontribuar në drejtim të ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.

Presidenti theksoi ndër të tjera se do të bëjë gjithçka që i lejon Kushtetuta dhe ligji, për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, të cilat sipas tij duhet t’i përmbahen standardeve ndërkombëtare.

Kreu i shtetit, vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e OSBE-së në Kosovë dhe rajon. Në këtë linjë, ai përshëndeti dakordësimin publik që u arrit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, duke rikonfirmuar qëndrimin e Shqipërisë se dialogu dhe marrëveshja janë rruga e vetme për një rajon në paqe dhe stabilitet. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që misioni i OSBE-së në Ukrainë po luan në këto momente agresioni të pashembullt, të pajustifikuar e të paprovokuar nga një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të organizatës, si dhe kontributin real për paqen.

“Çdo krim i kryer në Ukrainë, ndaj popullsisë civile, ndaj fëmijëve dhe ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk duhet të mbesë pa ndëshkuar,” – nënvizoi Begaj.

Më herët zyrtarja e OSBE-së u takua edhe me ministren e Jashtme me Olta Xhaçkën.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *