Nga Migena Aleksi
Pas debatit të hapur nga shkrimi i mëparshëm në DITA mbi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) (shkrim që u dëmtua gjatë sulmit kibernetik ndaj faqes tonë online) redaksia po rikthen në vëmendje thelbin e problemit, pasi ndërmori një hap zyrtar për transparencë.
Bëhet fjalë për një kërkesë formale drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit të procesit të përzgjedhjes. Kjo çështje lidhet ngushtë me standardin e procedurës dhe besueshmërinë e filtrit për një nga postet më të rëndësishme të arkitekturës së re të hetimit penal.
Çfarë ngriti pikëpyetje procesi i përzgjedhjes?
Në analizën e publikuar më herët, u evidentuan disa elemente problematike që kërkojnë sqarim institucional. Procesi i përzgjedhjes jo më kot kalon në disa faza testimi dhe vlerësimi. Rezulton se në fazat paraprake ekzistonte një renditje meritore e kandidatëve, por në fazën përfundimtare rezultoi një renditje ndryshe nga ajo e fazave të mëparshme.
Ka mungesë të plotë të një arsyetimi të detajuar publik mbi mënyrën se si u reflektua rezultati i fazave të para në vendimin final.
DITA posedon të dhëna serioze ku duket qartë se ka patur përmbysje të renditjes që kanë sjellë edhe qëndrime brenda komisionit të përzgjedhjes. Këto janë pikëpyetje procedurale që kërkojnë përgjigje të dokumentuara. Në një proces ku integriteti dhe meritokracia janë thelbësore, transparenca është detyrim.
Për këtë arsye, redaksia i është drejtuar zyrtarisht KLP-së me një kërkesë për informacion, në mbështetje të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, duke kërkuar vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë të procesit.
Kërkesa përfshiu:
-procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Përzgjedhjes për të gjitha fazat e vlerësimit
-tabelat e renditjes së kandidatëve pas çdo faze
-arsyetimet me shkrim për çdo ndryshim të renditjes nga fazat paraprake në vendimin përfundimtar
-shënimet dhe vlerësimet individuale të anëtarëve të komisionit që kanë ndikuar në vendimmarrje
-vendimin përfundimtar të KLP-së dhe relacionin shoqërues
-aktet që përcaktojnë peshën e secilës fazë dhe mënyrën e llogaritjes së pikëve.
Qëllimi ynë është të verifikohet nëse renditja meritore është respektuar sipas rregullave të shpallura. Institucionet e reja të drejtësisë janë ndërtuar mbi premtimin e standardit dhe besimit publik. Pikërisht për këtë arsye, proceset e tyre duhet të jenë të hapura ndaj verifikimit.
Publikimi i dokumentacionit nuk paragjykon askënd, përkundrazi, ndihmon në mbylljen e debatit me fakte.
Nëse procedura ka qenë korrekte, dokumentet do ta vërtetojnë. Nëse ka pasur devijime, publiku ka të drejtë t’i njohë.
Redaksia do të publikojë përgjigjen e KLP-së sapo ajo të vihet në dispozicion e plotë. Për momentin kjo përgjigje ka ardhur pranë redaksisë sonë, e pjesshme.
Edhe audio e seancës së votimit në KLP për zgjedhjen e kreut të ri të BKH ka shtuar pikëpyetje të tjera mbi mënyrën e zhvillimit të procesit. Nga dëgjimi i diskutimeve rezulton një prirje për ta çuar procedurën drejt votimit në kohë të shkurtër dhe pa një paraqitje të plotë shpjeguese të dokumentacionit shoqërues.
Gjatë seancës, një prej anëtarëve ka kërkuar që përpara votimit të vihej në dispozicion dhe të shqyrtohej i gjithë materiali dhe arsyetimi që ka çuar në emrin e propozuar nga SPAK. Kjo kërkesë është hedhur poshtë me 9 vota kundër nga 11 anëtarë.
Nga diskutimet konstatohet gjithashtu një tendencë për ta mbyllur sa më shpejt shqyrtimin e propozimit, me hapësirë të kufizuar debati, ndërkohë që në disa ndërhyrje niveli i argumentimit nuk i përgjigjet peshës dhe seriozitetit që kërkon trajtimi i një posti kaq të rëndësishëm për arkitekturën e re të drejtësisë, arkitekturë që DITA e ka mbështetur dhe vijon ta mbështesë me shpresën e madhe që ka gjithë shoqëria për ndryshim.
Redaksia do të vijojë mbulimin e çështjes mbi bazën e dokumenteve zyrtare. Transparenca nuk është presion ndaj institucioneve, është oksigjeni i tyre.
