Presidenti i Ukrainës Zelensky është takuar me mbretin Charles III në Pallatin Buckingham në Londër si pjesë e axhendës së tij në vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është hera e parë që dy udhëheqësit takohen. Më herët, Zelensky u tha deputetëve se ai do t’i përcillte Mbretit mirënjohjen e tij në emër të të gjithë ukrainasve, për mbështetjen e tij edhe kur ai ishte ende Princi i Uellsit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbërriti sot në Britaninë e Madhe ku u prit nga kryeministri Rishi Sunak të cilin e falenderoi për ndihmat ushtarake.
Londra ishte ndalesa e tij e parë në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 Shkurt të vitit të kaluar. Diplomatët europianë thanë se më pas Zelenski do të vizitojë edhe Brukselin.