Zbardhen detajet e Samitit të 6 dhjetorit/ Takimi zhvillohet tek Arena Kombëtare, 1.200 policë për të garantuar sigurinë

Më 6 dhjetor, Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare.

Sipas informacioneve, mësohet se për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.

Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.

Në këtë tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, çmimi i naftës dhe gazit, siguria, sfidat e klimës si dhe bursat për të rinjtë. Një pikë që ende nuk ka arritur në finalizim mbetet heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Agjenda e samitit do të vijojë me takime dypalëshe ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, ndërsa me interes pritet një ballafaqim i mundshëm mes presidentit Emmanuel Macron dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçic, si dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që mbetet ende për t’u konfirmuar.

Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia. Më pas, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Ardhja e Emmanuel Macron do të shënojë vizitën e parë të një presidenti francez në vendin tonë. Liderët kryesorë të unionit pas përfundimit të Samitit do të largohen nga Shqipëria brenda ditës të shoqëruar me të njëjtin protokoll sigurie./A2 CNN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *