“Vuçiç urdhëron Ramën” Berisha : Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë bllokohet qëllimisht

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Demokratike mëngjesin e sotëm.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se rezoluta për genocidin serb në Kosovë nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione pasi Rama e bllokon me urdhër të Vuçiçit.

Berisha: “Problemi madhor që bllokohet prej pothuajse një vit, është rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë e dorëzuar nga deputetët tanë nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione. Të ishte agjente e betuar e Beogradit, Linda e parlamentit ndryshe nuk mund të sillej. Natyrisht është apo nuk është, atë nuk e di se nuk kam të dhëna, por di që Edi Rama është një argat i Vuçiçit. Di që ai e bllokon këtë totalisht me urdhër të tij. Gjenocidi serb në Kosovë është një gjenocid ciklik, aktet e fundit të këtij gjenocidi u kryen me operacionin Patkoi gjatë luftës së vitit 1999. Por gjenocidi serb është i dokumentuar jo vetëm në trevat e Kosovës, por ai është plotësisht i dokumentuar edhe në fshatrat e Lumës. Barbaritë serbe në Lumë dhe zonat përreth kanë tronditur botën në atë kohë. Komisioni i ngritur për të hetuar shkaqet dhe krimet e luftës, i përbërë nga personalitete të shquara, ka konkluduar se barbaritë e Lumës janë gjenocid. Do insistojmë derisa të paraqitet rezoluta që dënon gjenocidin serb në Kosovë. E paralajmëroj që do paraqitet edhe rezoluta që dënon gjenocidin serb të Lumës, që është ndërkombëtarisht i njohur. Nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse njohja e të shkuarës dhe reflektimi që e ardhmja të mos lejojë përsëritjen e këtyre akteve.”

Berisha ka deklaruar se një ndër problemet e tjera, sipas tij është edhe bllokimi i komisionit hetimor për aferën “McGonigal” të cilin e ka lidhur me kryeministrin Rama. Berisha është shprehur se gjobëvënia nga Rama dhe McGonigal shkon në 50 mln Euro.

Berisha: “Përsëri vazhdon bllokimi i komisionit hetimor për aferën Rama-McGonigal. Kjo është një aferë që kundërmon dhe dalin vazhdimisht fakte dhe dëshmi të reja. Edi Rama, së bashku me Oleg Deripaskën, është faktor kryesor i korruptimit të shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Edi Rama ka kryer një seri aktesh të dënueshme, qoftë në ligjet e SHBA, qoftë në ato të Shqipërisë. Afera McGonigal është Uotergejti i këtij shekulli. Edi Rama kontraktoi kryezbuluesin e SHBA si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare. Edi Rama ka shkelur të gjitha ligjet e vendit. Ai është i implikuar në gjobëvënie që thuhet se arrin deri në 50 milionë euro. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Edi Rama e ka vendin aty ku e ka McGonigal sot. Nuk mund të shpëtojë nga drejtësia, ndaj dhe ne do insistojmë në ngritjen e komisioneve.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *