Janë bërë publike pamje të reja që lidhen me krimin dyfishtë i cili tronditi Tiranën më 30 gusht ku Arsen Muskurti vrau me armë vëllanë e tij së bashku me kunatën.
Çifti Muskurti u vra brenda një agjensie turistike, që e menaxhonin të dy. Autori i vrasjes së dyfishtë, u arrestua pak orë më vonë dhe e pranoi krimin. Gjithashtu, ai nuk u shfaq aspak i penduar në Gjykatë.
Pas ngjarjes u mësua se konflikti për pronën dhe një borxh pre 150 mijë eurosh ishin arsyeja e vrasjes së dyfishtë. Arseni dhe Dritani (viktima) ishin konfliktuar shumë herë me njëri-tjetrin dhe ngjarja ishte denoncuar edhe në polici por, kjo e fundit nuk e parandaloi dot krimin e dyfishtë.
Disa pamje të publikuara nga JOQ, tregojnë një sherr mes Arsen Muskurtit (autori) dhe Dritan Muskurtit (viktima) në një nga bizneset e autorit të ngjarjes.
Siç shihet nga fotot e mëposhtme, Dritani ka dashur të sulmojë me grusht Arsenin, por është mbajtur nga dy persona, një burrë dhe një grua, ndërsa një grua tjetër qëndron në këmbë. Ndërkohë në një skenë tjetër evidentohet se Dritani i ka shkuar shumë afër Arsenit në tavolinën e tij të punës.
Ndërsa, ditën e ngjarjes, para është qëlluar Nora Muskurti, e cila qëndronte në këmbë pas bashkëshortit të saj. Ndërsa më pas Arsen Muskurti ka kthyer këndin e qitjes në drejtim të vëllait të tij, Dritanit.
Kujtojmë se Dritan dhe Nora Muskurti u vranë brenda agjencisë së tyre të udhëtimeve në një rrugicë pranë xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë më 30 gusht. Arsen Muskurti hyri qetësisht në agjenci dhe qëlloi pesë herë me pistoletë dhe më pas u largua për t’u kapur disa orë më vonë në zonën e “5 Majit”. Ende i pa penduar për krimin, Arsen Muskurti është shprehur se vëllai e kunata e meritonin të vdisnin pas konflikteve të vjetra për pronësinë, që vazhdimisht i kishte çuar të dyja palët në dyert e policisë.