Ukraina pritet të kërkojë që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të fuqishëm të Sigurimit, me 15 ulëse, kanë të drejtën e vetos që mund ta përdorin për ta bllokuar çdo rezolutë.
Ministri i Punëve të Jashtme ukrainas, u shpreh dje se Rusia nuk ka të drejtë të jetë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Nga ana tjetër, të dielën, presidenti rus Putin, tha se ofensiva e tij në Ukrainë ka për qëllim ta “bashkojë popullin rus”, ndërsa akuzoi kundërshtarët se synojnë ta shkatërrojnë “Rusinë historike”. Ai u shpreh se Moska është e gatshme për negociata, por kur u pyet për sistemin e ri të mbrojtjes ajrore me të cilin do ta furnizojë SHBA-ja Ukrainën tha: “Natyrisht se do ta shkatërrojmë atë, 100%!”.