Një draft i ligjit për të drejtën e informimit lehtëson barrën e gjobave për institucionet kur këto të fundit nuk respektojnë kërkesat e transparencës që burojnë nga ky ligj.
Projektligji i nxjerrë për konsultim vjen me një sërë ndryshimesh dhe saktësimesh sa i takon dhënies së informacionit duke e bërë më të qartë rolin e koordinatorit për të drejtë informimi, marrëdhënien me Komisionarin, publikimet periodike të transparencës.
Të gjitha këto argumentohen se i shërbejnë funksionimit më të mirë të hallkave për rritjen e transparencës ndërsa ulja e kufirit minimal të gjobave sipas relacionit ka ardhur si propozim i Komisionerit.
Në fakt gjobat kur nuk respektohen kërkesat e ligjit për informimin që janë cilësuar disi të larta kur janë vendosur u argumentuan me rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve për të dhënë informacion kur ju kërkohet.
Në shumë raste institucionet e japin këtë informacion e në shumë të tjera i injorojnë plotësisht duke mos marrë parasysh gjobat.
Ulja e kufirit të tyre minimal edhe pse thuhet se vjen si efekt i ngarkesës ekonomike që sjell mbi koordinatorin për të drejtën e informimit duke zënë disa rroga mujore nuk pritet të përmirësojë transparencën.
Si ka ndryshuar kufiri minimal
Në projektligjin e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Drejtësisë thuhet se në nenin 18 ku përfshihen kundra vajtjet administrative dhe sanksionet bëhen disa ndryshime.
Kështu kur institucionet refuzojnë dhënien e informacionit, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji gjoba që sot varion nga 150 mijë në 300 mijë lekë do të variojë nga 50 mijë në 300 mijë lekë.
Ky ndryshim aplikohet të paktën edhe në katër kundravajtje të tjera për të cilat vendosen sanksione.
Në raste të tjera për shembull kur konstatohet moskrijimi, mosmbajtja, mospublikimi apo mospërditësimi i Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit gjoba aktualisht është në nivelin minimal 50 mijë lekë dhe 100 mijë lekë maksimumi.
Me propozimet e reja kufizimi minimal nis në 25 mijë lekë. E njëjta ulje kufizi aplikohet edhe kur kemi mosnjoftim të kërkuesit për vendimin për zgjatjen e afatit për plotësimin e kërkesës për informim veçse këtë herë kufiri minimal është ulur nga 150 mijë lekë në 25 mijë lekë.
Argumentimi për uljen e gjobave
Relacioni që shoqëron projektligjin argumenton se me propozimin e Komisionerit dhe dakordësinë e Ministrisë së Drejtësisë, janë rishikuar kufijtë minimalë të gjobës që vendoset për shkeljen e ligjit, për shkak të mungesës së proporcionalitetit ndërmjet masës së gjobës që aktualisht aplikohet ndaj koordinatorit për të drejtën e informimit ose personit përgjegjës, në raport me pagën e tij.
“Në disa raste, të zbatuara edhe në praktikë, kufiri minimal i masës së gjobës ka rezultuar të jetë disa-fish më i madh se paga e nëpunësve publik dhe vendosja e një mase të tillë gjobe i shkakton një dëm të konsiderueshëm kushteve ekonomike dhe të jetesës së nëpunësit.
Dënimi administrativ ka si synim kryesor parandalimin e shkeljes së ligjit, si dhe ndërgjegjësimin e shkelësit dhe jo dënimin e tij.
Për këtë arsye masa e gjobës është rishikuar, megjithatë, është treguar kujdes që nga njëra anë të sigurohet proporcionaliteti duke ulur kufirin minimal të gjobës dhe, nga ana tjetër, të garantohet dhënia e një dënimi proporcional në raport me shkeljen, duke mos ndryshuar kufirin maksimal të vlerës së gjobës” thuhet në relacion./Monitor