Tranportonte në kamionçinë bagëti pa dokumentacion, procedohet penalisht 58-vjeçari në Korçë

Një 58-vjeçar është proceduar penalisht, pasi u kap duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, disa krerë bagëti të imëta, pa dokumentacionin përkatës.

Shtetasi me iniciale D. Xh., akuzohet për veprën “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Korçë

Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal, për veprën “Largimi nga vendi i aksidentit”, për shtetasin K. B., 50 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Lin, duke drejtuar furgonin tip “Benz”, është përfshirë në një aksident me dy automjete të tjera, duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e tij dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal, për veprën “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, për shtetasin D. Xh., 58 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë.

Ky shtetas, ditën e djeshme, u konstatua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Pustec, në afërsi të fshatit Lajthizë, Pustec, duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, disa krerë bagëti të imëta, pa dokumentacionin përkatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin K. S., 62 vjeç, banues në Pogradec, pasi u konstatua në lagjen nr. 4, Pogradec, duke kryer punime përpara banesës së tij, pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *