Emrat/ Tentuan të trafikonin 42 kg kanabis, arrestohen dy persona në Korçë

Dy persona janë arrestuar në Korçë, pasi tentuan të trafikonin drejt Greqisë, 42 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Shtetasit me iniciale Leonard Hekurani 41 vjeç, banues në Elbasan dhe Zamir Sino 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet faza e nëntë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar shtatë muaj më parë.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Tentuan të trafikonin drejt Greqisë, 42 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas. Shkon në​ 22 numri i të ndaluarve, në 535.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur shtatë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e​ nëntë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– L. H., 41 vjeç, banues në Elbasan.

– Z. S., 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë konstatuar dy shtetasit e mësipërm në afërsi të fshatit Dobranj, Devoll dhe ju kanë bërë me shenjë të ndalonin. Këta shtetas, porsa kanë parë shërbimet e Policisë në drejtim të tyre, kanë tentuar të largohen me vrap dhe kanë hedhur në tokë tre çanta të zeza. Forcat e Policisë Kufitare dhe ato të Frontex-it, janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e ndalimin e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të çantave të tyre, u gjet një sasi prej 42 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *