Sulmi kibernetik, reagon Çuçi: Sistemi TIMS është rithyer në këto pika kufitare

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar për sistemet e rikthyera në punë pas sulmit kibernetik.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Çuçi njofton që prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar të Rinasit si edhe në pikat e tjera kufitare të vendit si Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.

Çuçi shprehet se po punohet për të rikthyer shërbimin edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar ndërsa po merren masa për të mos pasur më ndërprerje. Ai shton se partnerët amerikanë po bëjnë çdo përpjekje që Shqipëria të jetë sa më e sigurt në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e të dhënave.

“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS.

Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.

Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa.

Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme, shkruan Çuçi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *