SPAK aktivizohet për vrasjet e “21 Janarit”, çon predhën që vrau Aleks Nikën në Itali për ekspertizë, Sali Berisha një hap drejt qelisë

Hetimet për vrasjen e Aleks Nikës që u vra në 21 Janar të vitit 2011, kanë kapërcyer kufijtë shqiptarë, lëvizje kjo që trondit pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha, për shkak se asokohe ku mbetën të vrarë 4 qytetarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, ai drejtonte qeverinë.

Kështu, gazeta ka mësuar se në një laborator në Romë të Italisë, është duke kryer një ekspertizë që pritet t’i japë një tjetër drejtim hetimeve të rihapura nga Prokuroria e Tiranës dhe SPAK. Laboratori në Romë është përzgjedhur nga prokurorët e çështjes, pasi është i kualifikuar për ekspertizë të tillë, që bën të mundur edhe përftimin e të dhënave për identifikimin e armës që ka kryer qitjen mbi të riun nga Lezha Aleks Nika. Predha e gjetur në trupin e viktimës, ishte shkaku i hapjes së hetimeve nga prokuroria, pas referimit nga Policia e Shtetit. Për vrasjet në bulevard janë akuzuar publikisht shumë aktorë të rëndësishëm të politikës, ish kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish kreu i Gardës së Republikës, etj.

Ekzaminimi i parë i kryer në një laborator në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk arriti asnjë rezultat, pasi predha ishte e dëmtuar në pjesën e vjaskave të lëna nga tyta e armës. Sakaq, prokuroria është në pritje të kësaj ekspertize nga laboratori në Romë, ndërkohë që më parë po e njëjta predhë kishte rezultuar e pavlefshme gjatë ekspertizës së parë të kryer në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Hetimet për vrasjet e 21 janarit u rihapën një vit më parë pas një referimi të Policisë së Shtetit duke paraqitur prova dhe materiale të reja për hetimin. Vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe ajo nuk u përfshi në çështjen gjyqësore ndaj gardistëve të akuzuar për vrasje më 21 janar 2011.

Berisha flet për “21 Janarin”

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë foli për 21 janarin. Teksa mori pjesë në protestën e organizuar nga Komisionit i Rithemelimit në lidhje me vetëvrasjen e të riut Ilvi Meta në komisariatin e Kavajës, ndërsa po jepte një prononcim për media nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, Berisha u pyet nga gazetarët pse nuk reagoi në lidhje me vrasjet e 21 janarit dhe po reagon tani. Ish-kryeministri u shpreh se dy ngjarjet nuk mund të krahasohen pasi në rastin e protestës së 21 janarit kishim persona që po agresionin Gardën dhe po qëllonin me plumba ndaj kryeministrisë, ndërsa në rastin e të riut në Kavajë, ky i fundit ishte në qeli dhe i pambrojtur.“Kanë humbur jetën 4 njerëz në një demonstratë që po gjuhej me plumba drejt kryeministrisë. Janë të filmuara. Nëse doni të gënjeni para kamerave, ju mund të turpëroni veten. Ka patur plumba në xhama, përveç mediave që nuk duan t’i shohin, se të tjerat i kanë dhënë. Është Sali Berisha ai që ka kërkuar në mënyrë të përsëritur në parlament shpalljen e tyre, vrasjen e shtetërore padashje, po them për Gërdecin këtu. Pse e kam bërë këtë? Se garantimi i vendit ka qenë i Ministrisë së Mbrojtjes. Këta zotërinjtë këtu janë vlerësuar që të gjithë dhe janë dhënë disa dënime për tejkalim të kompetencave nga Garda. Garda nuk vepron me urdhër vepron me një ligj që e miratoi qeveria socialiste. Të krahasosh një person që qëllon me gur me dinamit ndaj gardës me një njeri që ndodhet në qeli dhe del i vdekur, ka një verbëri militanteske”, tha Berisha./ gazetasot

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *