Françesko Hela është shqiptari që punon në një ndër universitet më të njohura në botë Harvard. Ai aktualisht po vazhdon edhe postdoktoraturën, duke shënuar shumë suksese.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Francesko ka folur për studimet e tij.
“Unë kam mbaruar biologji molekulare dhe gjenetike në Ankara, në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, më pas kam bërë Doktoraturën për Mjekësi Molekulare dhe Qelizore në Stamboll në një universitet privat. Edhe atje jam marrë më shumë me kërkimin shkencor. Temat e doktoraturës kam pasur disa projekte, por ai kryesori ka qenë një lloj procesi qelizor si ndikon te prodhimi i hormoneve riprodhuese te femrat estrogjeni dhe testosterone në përgjithshmëri”, u shpreh ai.
Më tej, Françesko tregoi se ka tentuar të punojë në Shqipëri në Universitetin e Tiranës, por nuk e kanë mirëpritur, e kanë përzënë.
“Në fakt kanë qenë dy tentiva, por e para ka qenë kur nuk kisha titull. Prandaj kam punuar për disa kohë në një kompani private, pastaj e lash dhe shkova për të vazhduar doktoraturën. Më pas, ajo tentativa kryesore ishte ajo kur mbarova doktoraturën në fund marsit, në fillim të prillit që kam ardhur në Shqipëri. Ajo çka e ndan universitetin, pjesën e masterit apo doktoraturën është kërkimi shkencor.
I jam drejtuar FSHN për një intervistë, të pyes se si është procesi se duke qenë një person i jashtëm nuk kam pasur informacione. Nuk është se kam pasur një trajtim shumë pozitiv. Kur kam shkuar te FSHN, ka qenë një sekretare dhe më tha me dialekt: ‘Ik o çun se s’kemi punë me këto’. Kam shkuar te Dekanati dhe atje nuk kam pasur ndonjë hapje dyersh, ndonjë mundësi”, tha ai.