SHBA shton ndihmat humanitare për Turqinë dhe Sirinë

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbi 85 milionë dollarë në ndihma humanitare për Turqinë dhe Sirinë pas një tërmeti masiv në rajon që ka shkaktuar vdekjen e mbi 25 mijë personave. Siç njofton korrespondentja e Zërit e Amerikës, Cindy Saine, fondet do të jepen nga USAID-i për strehim, ushqime, ujë, veshje dhe kujdes shëndetësor.

“Do t’ia lë ministrit të jashtëm dhe aleatëve tanë turq që të flasin për nevojat e tyre, por ministri i jashtëm i ofroi disa hollësi Sekretarit Blinken. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të plotësuar nevojat që pala turke na ka paraqitur”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ai konfirmoi se ekipet në terren janë në një fazë akute të operacioneve të kërkim-shpëtimit. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dy ekipe të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit në zona urbane, shpjegoi të premten nga Shtëpia e Bardhë koordinatori për komunikimet i Këshillit të Sigurisë së Kombëtare.

“Këto ekipe kanë rreth 200 anëtarë, me paisje të specializuara dhe qen kërkimi. Ata kanë arritur të zgjerojnë gamën operacionale me mbështetjen e helikopterëve Blackhawk të ushtrisë amerikane”, tha zoti Kirby.

Ai konfirmoi se Pentagoni po afron pranë Turqisë një aeroplanmbajtëse që gjendej e dislokuar në Detin Mesdhe, për të ndihmuar sipas nevojave të Ankarasë./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *