Seanca në GJK, Logu: Shteti i së drejtës është në rrezik

Avokati i deputetëve të PD-së Marash Logu ka folur pas seancës së mbajtur sot në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e VKM-së për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

Logu tha se kanë parashtruar provat dhe i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të GJK dhe Këshillit të Ministrave, por se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për shqetësimet dhe pyetjet e tyre.

Ai theksoi se shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e qytetarëve në rrezik serioz.

“Pas dy seancave shtyrjesh krejtësisht të paarsyeshme, të panevojshme dhe të paligjshme në syrin tonë, sot patëm mundësi të merreshim me atë që është thelbi, shkeljet e rënda të kushtetutës dhe arsyet pse VKM e sjellë në Gjykatën Kushtetuese duhet të shfuqizohet.
Mund ta kishim bërë këtë seancë që në datë 11 dhe të kishim një vendimmarrje sa më të shpejtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Sot patëm mundësi të parashtrojmë qëndrimin tonë, provat dhe raste për të cilat jemi në dijeni si dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Ministrave.

Nuk u mor asnjë lloj përgjigje për të gjitha ato pyetje e shqetësime që kishim për Këshillin e Ministrave. I bënë bisht përgjigjes se pse nëpërmjet kësaj VKM-je synojnë të theksojnë pabarazinë e qytetarëve përpara ligjit.

Pabarazia e trajtimit të qytetarëve në raport me biznesmenët është një nga arsyet pse Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë shfuqizimin e kësaj VKM-je si të papajtueshme me Kushtetutën.
Në një shtet ku demokracia dhe shteti i së drejtës nuk funksionon në fillim nxirret VKM-ja pastaj një ligj. Kjo ka ndodhur në rastin konkret. Më 7 shtator 2022 është miratuar VKM-ja. Më 17 mars 2023 është nxjerrë një projektligj që ka për synim të rregullojë ato aspekte problematike që ka VKM-ja.

Shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e qytetarëve janë në rrezik serioz. Ta konsumojnë këtë projektligj që ndodhet në faqen publike të Këshillit të Ministrave. Të gjitha përpjekjet që bëri qeveria për të shtyrë procesin në Gjykatën Kushtetuese janë për t’i dhënë kohë për të rregulluar disa problematika që ka kjo VKM”, deklaroi Logu.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *