Rusët po përgatiten të largohen nga centrali bërthamor në Zaporozhye, thotë kreu i Enerhoatom

Kreu i kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës, Enerhoatom, tha se kishte shenja që forcat ruse po përgatiteshin të largoheshin nga termocentrali bërthamor i Zaporozhye që kapën në mars.

“Gjatë javëve të fundit, ne kemi marrë në mënyrë efektive informacionin se ka pasur shenja se ata mund të përgatiten të largohen nga termocentrali,” tha Petro Kotin, kreu i Enerhoatom të Ukrainës, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Ai tha se ka një numër shumë të madh të raportimeve në mediat ruse se duhet të largohen nga centrali dhe t’ia dorëzojnë kontrollin Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike – IAEA.

“Keni përshtypjen se ata po paketojnë valixhet dhe po vjedhin gjithçka që munden”, tha Kotin.

Për muaj të tërë, Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatimin e zonës ku ndodhet termocentrali bërthamor i Zaporozhye, i cili nuk prodhon më energji.

I pyetur nëse ishte shumë herët për të folur për largimin e trupave ruse nga termocentrali, Kotin tha në televizion:

“Është shumë herët. Ne nuk e shohim këtë tani, por ata po përgatiten të largohen.”

Një ekip në terren i IAEA-s raportoi më 20 nëntor se disa ndërtesa, sisteme dhe pajisje në central u dëmtuan nga sulmet, duke ngritur shqetësime për sigurinë e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë.

Më 21 nëntor, Rusia njoftoi se bombardimi i termocentralit bërthamor në Zaporozhye rrezikon të shkaktojë një aksident të rëndë bërthamor .

Rusia nisi një pushtim të Ukrainës më 24 shkurt, gjatë të cilit pushtoi edhe termocentralin bërthamor të Zaporozhye.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *