Rinas/ Tentoi të kalonte kufirin me dokumente false, në pranga i riu turk

Policia kufitare në aeroportin e Rinasit ka bërë të mundur arrestimin e një shtetasi turk, i cili u kap duke tentuar të kalonte kufirin duke përdorur dokumenta false. 24-vjeçarit i është gjetur pasaporta e një shtetasi sllovak e dyshuar e falsifikuar por me foton e tij. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin me inicialet A.L., në emër të të cilit ishin edhe pasaporta dhe bileta e udhëtimit, i cili dyshohet se ka ndihmuar 24-vjeçarin turk në kryerjen e veprës penale.

Njoftimi i policisë: 

Rinas/Kontrolle të detajuara nga Policia Kufitare, për parandalimin e kalimit të kufirit, me dokumente false.

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë të falsifikuar, kapet në flagrancë nga Policia Kufitare dhe vihet në pranga 24-vjeçari (shtetas turk).

Shpallet në kërkim një shtetas tjetër që tentoi të ndihmonte 24-vjeçarin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke e pajisur atë me pasaportë false dhe biletë udhëtimi.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasin turk U. Y.

Nga kontrolli i detajuar në vijën e dytë, këtij shtetasi i është gjetur një pasaportë sllovake e dyshuar e falsifikuar, me foton e tij dhe me gjeneralitetet A. L., si dhe një biletë udhëtimi me të dhënat e shtetasit A. L.

Nga veprimet hetimore dyshohet se biletën që iu gjet shtetasit U. Y., e kishte marrë te njësia e check-in-it, shtetasi A. L., me qëllim për ta ndihmuar shtetasin U. Y., që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit U. Y., 24 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 27 vjeç.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L. dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *