Rënia e blegtorisë, si po falimentojnë fermat

Nga viti 2004 deri në vitin 2021, numri i bagëtive në vend ka rënë me 50%. Vetëm në vitin 2021, tkurrja ishte 7% për gjedhin dhe 3.2% për të imtat. Blegtorët paralajmërojnë se, numri i krerëve do të përgjysmohet më tej gjatë këtij viti. Arsyet lidhen me kostot e larta, mungesën e subvencioneve, emigrimin e popullsisë rurale, nivelin e ulët të produktivitetit etj. Rënia e krerëve po rrit importet e bulmetit dhe çmimet qumështit dhe nënprodukteve të tij në pikat me pakicë. Fermat blegtorale humbin fizibilitetin, të voglat deri në 50 krerë në faliment, të mëdhatë në mbijetesë.

Nazim Buzo, blegtor 40-vjeçar në zonën Korçës, i cili mbarështon një fermë të vogël me 20 krerë lopë për qumësht, po mendon të reduktojë numrin e krerëve vitin që vjen, me gjasë ta mbyllë fare aktivitetin e lodhshëm që nuk ia shpërblen mundin. Si Nazimi edhe Luan Çela, në fshatin Ngurrëz në Fier, që ka rreth 20 lopë dhe 30 kokë të imta, do të shesë një pjesë të tyre për të shlyer 100 mijë lekë kredi në bankë. Të dy fermerët, që konsiderohen ferma të vogla, kanë në plan që në vitet e ardhshme të mbajnë disa krerë vetëm për vetëkonsum dhe jo më për treg.

Brenda një viti, numri i krerëve të gjedhit ka rënë me 7%, por që nga viti 2014 rënia është rreth 50%. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021, në vend numëroheshin rreth 336 mijë krerë gjedh nga më shumë se 654 mijë krerë në vitin 2014. Studime të ndryshme tregojnë se numri i krerëve të bagëtive ka pësuar rënie për të gjithë kategoritë fermave, të vogla, të mesme dhe të mëdha dhe në të gjitha qarqet dhe llojet e kafshëve. Blegtorët pohuan se arsye kryesore për rënien e krerëve është mungesa e fizibilitetit në këto lloj biznesesh.

Në njërën anë, fermat po përballen me kosto të larta të bazës ushqimore, e cila në një masë të madhe, importohet nga jashtë dhe nga ana tjetër, qeveria nuk ofron subvencione për blegtorët në mënyrë që të kompensohen një pjesë e kostove, ashtu siç veprohet në Rajon dhe Europë. Lahim Kosiqi, ekspert i blegtorisë në Qarkun e Dibrës, një zonë me traditë në blegtori sidomos në të imtat, tha se tani po braktiset mbarështimi në masë. Ai tha se shumë shpejt bagëtitë në zonën e tij do të shuhen tërësisht. Në zonën e Maqellarës, deri para pesë vitesh, kishte mbi 350 krerë gjedh, tani nuk janë as 50.

Ai sheh si arsye themelore braktisjen e fshatit dhe mungesën e dëshirës nga moshat e reja për t’u marrë me blegtori. Në zonat rurale të vendit, popullsia po plaket me shpejtësi, dhe banorët janë duke i shitur bagëtitë pasi nuk kujdesen dot për to. Nga ana tjetër, vendi po përballet me rritjen e kërkesës për prodhime vendase, si në mish dhe bulmet.
Rritja e numrit të turistëve dhe zhvillimi i agroturizmit e ka bazën tek mishi dhe bulmeti, pa të cilat sektori nuk mund të zhvillohet. Altin Prenga, i cili administron njësinë e agroturizmit,

“Mrizi i Zanave”, tha se kostot e mishit dhe bulmetit po rriten, pasi gjithnjë e më pak njerëz dëshirojnë të merren me bujqësi. Kulinaria shqiptare bazohet te mishi dhe nënproduktet e tij, tha zoti Prenga, por njësitë e agroturizmit dhe restorantet nuk mund të zhvillohen nëse nuk kemi prodhim vendas.

Tendenca e uljes së numrit të fermave të orientuara ndaj tregut është shqetësuese. Për shembull, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 ferma (në vitin 2015) në më pak se 2800 të tilla në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit. Ndërkohë, mishi dhe qumështi i ngrirë i lirë i importuar nga ndërmarrjet vendore të përpunimit po pengon zhvillimin e brendshëm të sektorit të blegtorisë dhe po mban një presion të vazhdueshëm çmimesh mbi fermerët./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *