Raund i ri bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë

Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë mbajnë këtë të martë bisedimet e paqes.

Delegacionet kanë arritur në Stamboll të Turqisë. Delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe Mikhail Podolyak, këshilltari presidencial.

Kievi tha se prioritet i tyre është arritja e një armëpushimi.

Takimi sy më sy midis delegacionit ukrainas dhe rus do të zhvillohet në prani të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Takimi është planifikuar të nisë në ora 10:00 sipas kohës lokale.

Ndërkaq, delegacioni i Rusisë po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, një çështje që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.

Çështje të tjera që pritet të diskutohen është fati i dy rajoneve lindore të Ukrainës – Donjecku dhe Luhansku – por edhe statusi i Krimesë, gadishull të cilin Moska e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme më 2014.

Ky do të jetë takimi i dytë i mbajtur në Turqi, pasi në fillim të marsit, kryediplomatët ukrainas dhe rusë u takuan në Antali, por takimi i tyre përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

Palët kanë mbajtur edhe takime në Bjellorusi dhe përmes platformave online, takime që kanë për qëllim t’i japin fund pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt./Radio Evropa e Lire

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *