Ramazani/ Kryebashkiaku Veliaj dhe Elvana Gjata shërbejnë iftar për myslimanët

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe këngëtarja e njohur, Elvana Gjata, shërbyen mbrëmjen e djeshme iftarin e Natës së Kadrit në Qendrën Sociale “Të Qëndrojmë së Bashku” në Kombinat. Artistja shqiptare u shpreh mirënjohëse që u bë pjesë e shërbesës në këtë natë të shenjë për besimtarët myslimanë.

“Faleminderit shume, Lali Eri! Është vërtet nder për mua! Faleminderit shumë për ftesën! Zemra jote është e madhe dhe unë jam shumë e lumtur që jam këtu me ty sot, bashkë me motrat dhe vëllezërit tanë. Zoti ju’a pranoftë lutjet, agjërimin dhe veprat tuaja të mira! Më vjen mirë që, ashtu siç Zoti është treguar i mirë me mua, të jem ndihmë, të jem krah për të gjithë ju që jeni këtu sot dhe shumë të tjerë,”- tha Elvana Gjata.

Ndërsa, Veliaj nga ana e tij i uroi të gjithë besimtarët agjërim të pranuar në një natë ku vlerësohet sakrifica e secilit në Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

“Unë dhe Elvana mezi e pritëm që të shërbenim darkën e Natës së Kadrit së bashku me ju. E di që kemi kaluar kohë shumë të vështira dhe jam shumë i ndërgjegjshëm për këtë. Sa herë sjell një mik ose një mikeshë, siç kam sjellë sot Elvanën, është një mënyrë për të dhënë një mesazh se kur jemi bashkë mund të bëjmë disa gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Unë ju njoh shumë prej jush, ua di historinë, sakrificat, e ndonjëherë edhe vështirësitë që keni kaluar në jetë. Sot është një natë kur kërkojmë falje për ato gjëra që nuk i kemi bërë si duhet, kërkojmë mëshirë për ato ditë që nuk kemi qenë në formën tonë më të mirë, kërkojmë ndihmë që Zoti të na japë fillimisht njëri-tjetrin. Po të kemi njëri-tjetrin, po të kemi dashuri, ne mund të ecim përpara,”-u shpreh Veliaj.

Ai tha se vetëm në këtë muaj të bekuar në Tiranë janë hapur dy xhami të reja.

“Jam shumë mirënjohës që kemi hapur xhaminë e re këtu në “Misto Mame”, po ashtu edhe një tjetër te Depo e Ujit. Sa herë hapet një institucion që afron njeriun me Zotin, mbyllet një derë burgu, dhe siç kemi këtë institucion, që është një institucion civil fare pranë një institucioni të besimit, e ndajmë barrën e vështirësive dhe sfidave. I falenderoj të gjithë, duke filluar nga gocat që shërbejnë këtu, të gjitha skuadrat tona në qendrat sociale. I falenderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat në xhamitë e Tiranës, por sidomos në zonat periferike, ku edhe nevoja është pak më e madhe e ku bujaria lipset më shumë,”- tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi këngëtaren Elvana Gjata për gjestin e saj human, që iu bashkua në natën e shenjtë të Kadrit.

“Sot jam shumë mirënjohës për Elvanën dhe punën që ajo bën. Ajo është një nga ato artiste, e cila edhe pse është kaq e kërkuar, tha unë do vij dhe do shërbej një pjatë supë; do të thotë se kush është i mirë si qytetar, është i mirë edhe si artist. Sot na duhen më shumë se kurrë njerëz që mbjellin paqe dhe dashuri, sesa ata që mbjellin inat dhe sherr. Për sa kohë që shumica e do mirëkuptimin, e do bashkëpunimin, shumica e sheh tjetrin jo me ego, por si ta ndihmojë të ecë përpara, unë besoj se ky është një mësim që Elvana na jep për të gjithë të rinjtë,”- tha Veliaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *