Rama thirrje SPAK-ut për Berishën, reagon opozita: Presion i patolerueshëm

Edi Rama i ka kërkuar SPAK-ut të godasë kuçedrën e korrupsionit në Shqipëri. Bëhet fjalë për ish-kryeministrin Sali Berisha, ku sipas Ramës ata që akuzohen për korrupsion dhe minim të demokracisë duhet të përfshihen në hetimet e SPAK-ut, i cili duhet të hetojë nëse akuzat e qeverisë amerikane janë ose jo të bazuara. Sakaq, opozita e ka konsideruar presionin ndaj SPAK-ut të patolerueshëm, shkruan Deutsche Welle. Ditën e djeshme në kongresin e PS-së, zhvilluar të shtunën (09.04), ai ka nxitiur SPAK-un të hetojë ish-kryeministrin Berisha i shpallur “person non grata” për “vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri.”

“Ata që akuzohen për korrupsion dhe minim të demokracisë duhet të përfshihen në hetimet e SPAK-ut, që duhet të hetojë nëse akuzat e qeverisë amerikane janë ose jo të bazuara”, u shpreh Rama.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi nga Enkelejd Alibeaj, i cili e ka konsideruar këtë si propagandë si mënyrë për të fshehur keqqeverisjen dhe varfërinë e shqiptarëve.

Reagimi i Plotë:

Edi Rama, pas 8 vitesh mashtrimesh e dështimesh, krizash qeveritare dhe skamjeje te familjeve shqiptare, skandalesh korrupsioni dhe hajdutërie zgjedhjesh, zgjodhi Kongresin e PS, për të ndërtuar fasadën më të madhe të propagandës, duke tentuar ta fshehë realitetin e hidhur që ndjejnë në lëkurë shqiptarët që ende kanë mbetur në këtë vend. Me qëllimin e vetëm, që t’ia hedhë edhe kësaj dite si të tjerat, me mendjen se po i topit shqiptarët në përhumbjen e mjerimin e përditshëm ku i ka zhytur.

Siç ka bërë çdo ditë të “medemek” qeverisjes së tij, Rama e përdori Kongresin e PS, për të vënë në skenë absurdin e Rilindjes, me një shoë të kushtueshëm ku shumë u fol e asgjë nuk u tha.

Edi Rama nuk tha asgjë të re.

Po, foli për suksese imagjinare, por nuk iu tha dot shqiptarëve se pse sot ata janë më të varfër?! Pse marrin më pak rroga e pensione?! Pse nuk blejnë dot ushqimet e përditshme? Pse nuk blejnë dot ilacet të pamundurit? Pse cmimet kanë shkuar në qiell? Pse biznesi vecse falimenton? Pse fermerët rropaten përditë e më shumë dhe përditë e më pak fitojnë? Pse arsimi lëngon dhe studentëve iu largohet dija si mall pa vlerë? Pse ikin shqiptarët nga ky vend dhe droga vjen pa doganë? Pse krimi lulëzon e vret dhe korrupsioni trashet e nginjet?

Po, ai tregoi se ka cinizmin dhe mungesën e skrupujve, të shesë një fasadë, ndërtuar me propagandën e pushteteve të kapura, administratës së patronazhistëve, mediave të blera dhe krimit e oligarkinë që kontrollojnë pushtetin dhe ekonominë e vendit. Rama foli për arkën me peshk të zëvendësministres së tij, por nuk guxoi ti thotë asnjë fjalë për vjedhjen 420 milion euro të inceneratorëve ku notojnë të përfshirë ministrat dhe njerëzit e tij më të afërt. Madje dhe vetë ai.Nuk belbëzoi dot një fjalë të vetme për skandalet e qeverisë së tij, ministrave e deputetëve të arrestuar, por ama na tregoi se si dështimi mund të shitet si sukses. Apo të paktën e tentoi. Por ama tregoi se pavarësisht të gjithave, frikën e ka! Lepuri në bark, e trimëroi teksa skërmiti dhëmbët edhe ndaj kësaj pak drejtësie që është bërë. E si masë të parë për të ruajtur veten, iu tha një fjalë zyrtarëve të tij që kapen në korrupsion: nëse kapeni, unë nuk ju njoh!

Bëri pra sot  të vetmen gjë që di të bëjë falas: propagandë, fasadë, cinizëm, dhe ngërdheshjen e vet ndaj shqiptarëve. E këtë herë përdori si perde të fasadës për të paketuar propagandën, përdori Kongresin e PS. Një show milioner, që normalisht do të varfërojë edhe më, shqiptarët e rraskapitur nga qeveria e Rilindjes.

E meqë Rama gjeti kohë e kurajo të flasë për opozitën, madje duke e çuar në djall gjysmën e shqiptarëve që ajo përfaqëson, ndoshta duhet të fillojmë secili dhe bashkë me të gjithë shqiptarët ta çojmë në shtëpi, jo në djall, Edi Ramën dhe të keqen djallëzore që ai përfaqëson. Në shtëpi, për ta mbyllur me këmishën e forcës, në ndonjërën nga kuvlitë e bodrumeve të errëta, siç meritojnë ata që vetëm të zeza sjellin.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *