Këtë të mërkurë, Kryeministri Edi Rama ka qenë në Bulqizë ku është takuar nga afër me përfaqësues të biznesit.
Kreu i qeverisë ka zhvilluar një vizitë në një biznes fason në këtë qytet ku ka ritheksuar rritjen e pagës minimale.
Ndër të tjera, Rama është shprehur se në Bulqizë vërtet nuk është bërë ndonjë mrekulli, por herë pas here janë bërë investime për të hedhur bazat për të ardhmen.
“Unë kam pas bindjen se dhe pse shfaqen vetëm burra, energjinë e kanë nga gratë. Këtë e kam bindje dhe nuk ma ndryshon dhe nëse bëhen të gjithë burrat bashkë. Kemi një program të ri që e kemi fuqizuar ku kemi bërë disa prova në disa zona të Dibrës për bërjen e bujtinave. Jemi të interesuar që të bëjmë grupe grash që të orientohen për të bërë një gjë ndryshe, larg asaj punës së rëndë që është selektimi i kromit. Të jeni të bindura se kjo që ka nisur me këtë punishte të vogël është vetëm fillimi I një transferimi.
Në Bulqizë nuk kemi bërë mrekulli por kemi bërë shumë ndryshime. Dhe pse janë të pamjaftueshme, por me këtë bazë mund të shkojmë më tej. Rritja e pagës minimale është një tjetër element i rëndësishëm. Zoti ju bekoftë për kurajon që keni për të duruar burrat”, ka thënë Rama.