Presidenti i ri/ Gjiknuri: Rama, vendimarrësi kryesor

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama do jetë vendimmarrësi kryesor për zgjedhjen e Presidentit të ri, pas procesit të konsultimeve.

Gjatë një konference me gazetarët, Gjiknuri u shpreh se ftesa e PS për opozitën në procesin e negocimit ishte e sinqertë dhe se deri tani ka emra të propozuar nga të gjitha profilet.

“Këtu ka një proces. Edi Rama është vendimmarrësi kryesor dhe do ishte naive nga ana ime të thosha të kundërtën. Ne jemi aty për të dhënë këshilla dhe sugjerime. Kur dialogon me opozitën, do të dëgjosh edhe sugjerimet e tyre. Por, në fund të fundit, vendimmarrjet do t’i marrë vetë pasi të konsultohet me të tjerët.

Po emra ka nga të gjitha profilet, qoftë nga politika, akademia, diplomacia e fusha të tjera. Ka njerëz që kanë qenë në politikë, por e kanë mbyllur karrierën e tyre në politikë. Në momentin kur PS bën thirrje për t’u ulur në tavolinë, thirrja është e sinqertë. Kur themi ulemi në negociata me palët në Parlament, duhet që profili të përcaktohet nga palët dhe më pas të kalohet nga emrat. Kemi një kalendar dhe dakordësinë për t’u ulur dhe për bërë profilin, pse jo për të dëgjuar edhe ndonjë emër nga ata.

Në momentin kur diskutojmë për profil, mund të jetë një emër që mund të ketë pëlqyeshmërinë e të dyja palëve. Duhet të jetë një njeri që nuk ka ato ambiciet e shfaqura politike, të jetë një njeri që ka integritet shoqëror, që ka reputacion në shoqëri.

Ilir Meta u zgjodh sepse ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por punoi si të imponohej si figurë e mundshme e lidershipit të ardhshëm opozitar. Dhe këtu pastaj ka një grup emrash që ne i shkurtojmë në një shortlistë dhe vijojmë me procesin”, tha Gjiknuri.

NEGOCIATAT

Teksa foli për negociatat me opozitën, Gjiknuri theksoi se zgjedhja e Presidentit mund të jetë një pikë bashkimi mes tyre. Kreu i Grupit të PS u shpreh se maxhoranca nuk paragjykon asnjë emër që mund të vijë nga opozita, por për aq kohë sa Alibeaj përfaqëson opozitën shqiptare, do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

“Procesi i negocimit ka një format zyrtar si zhvillohet. Nuk e pengon qoftë edhe grupimin që është në Kuvend të dialogojë me copëzat e PD-së. Le të shërbejë kjo si një pikë bashkimi mes tyre, që përfaqësia zyrtare të dalë me një kandidat që përfaqëson edhe krahun që mendon se është përjashtuar. Jemi në një proces dialogu.

Çdo emër është në diskutim. Nuk paragjykojmë as emra nga opozita dhe as emra nga maxhoranca. Duam të gjejmë një njeri pa interesa të çastit politik. Nëse kryetari i grupit shkarkohet, ka procedura si certifikohen këto. Për aq kohë sa Alibeaj përfaqëson opozitën shqiptare, do të jetë në tavolinën e bisedimeve. Unë nuk di të jetë shkarkuar Alibeaj pasi ai përfaqëson opozitën shqiptare.

Mund të jetë moment i mirë që të dyja palët të dialogojnë për emrin e kandidatit të Presidentit. Nëse Alibeaj merr përsipër të bashkojë partinë e tij përmes emrit të Presidentit kjo është një gjë që varet nga ata. Berisha për ne nuk ekziston si faktor politik.

Nëse Alibeaj me të tjerë do të vijnë për të gjetur një kandidaturë që i bashkon, ky është proces i tyre dhe unë i mirëpres”, u shpreh ai.

FATOS NANO KANDIDAT?

Kur u pyet se sa shanse ka që Fatos Nano të jetë kandidat i ardhur nga maxhoranca, Gjiknuri u shpreh: Këtu s’jam të komentoj emra të përveçëm. Të gjithë kanë shanse sipas asaj që thatë, por që ka figura me kontribute, qoftë ish-politikanë, të cilët natyrshëm mund të jenë kandidatë. Identifikimi i emrave në këtë fazë do ishte gabim e do krijonte pritshmëri të rreme për publikun. Por asnjë nuk është i përjashtuar, përfshi edhe emrin në fjalë patjetër./Panorama

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *