Përdhunuan të miturën në Prishtinë, lihen në burg 2 nga 5 autorët; zbardhen detajet tronditëse

Dy nga 5 autorët e përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë janë lënë në burg.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të miturve G.J. dhe XH.S. Në paraburgim tashmë gjenden edhe dy të dyshuar të tjerë, ndërsa i pesti është identifikuar, por nuk është bërë ende i mundur arrestimi i tij.

Gjykata ka lënë në burg të miturit pasi ka vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia. Gjykata shton se ekziston rreziku që mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe dëshmitarët.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj një të miture dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, ekziston rreziku që të njëjtit do t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, shkruhet në deklaratë.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dhunimi i vajzës ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një vend tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës dje ka kërkuar paraburgim ndaj 26-vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër, si të dyshuar për dhunimin seksual të vajzës 11-vjeçare. Ditën e djeshme, Gjykata Themelore e Prishtinës, u ka caktuar atyre masën e paraburgimit.

Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më pas, Policia, përmes një deklarate ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R., 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur, pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllanë e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën.

Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J., dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak 26-vjeçari, ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditur që e dëmtuara është nën 14 vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë, por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia hiqnin rrobat. Personi me bluzë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa personi tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria.

Më pas sipas saj, ka ardhur një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i automjetit ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *