Në prag të festave, Policia nxjerr masat për tregtimin e fishekzjarreve

Vetëm pak ditë na ndajnë nga festat e fundvitit. Policia e Shtetit ka nxjerrë masat për parandalimin e tregëtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve që janë me rrezik për qytetarët.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se plani i masave parashikon kontrolle të vazhdueshme, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit, të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, për të mos rrezikuar qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe jetën e shëndetin e qytetarëve.

Ndërkohë, deri më tani janë sekuestruar qindra kapsolla dhe fishekzjarre, me fuqi të lartë plasëse.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, në prag të festave të fundvitit.

Sekuestrohen qindra kapsolla dhe fishekzjarre, me fuqi të lartë plasëse.

Plani i masave parashikon kontrolle të vazhdueshme, për zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit, të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, për të mos rrezikuar qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe jetën e shëndetin e qytetarëve.

Bazuar në ligjin “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”; urdhrin e MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, urdhrin e përbashkët të MB, MM dhe MFE “Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, si dhe në telegramin e DPPSH për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve”, strukturat e Policisë në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në subjekte tregtare dhe në ambiente të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve.

Me qëllim krijimin e mjedisi të sigurtë për qytetarët, në prag të festave të fundvitit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, zbatimin me rigorozitet të detyrave të përcaktuara në planin e masave, detyra të cilat konsistojnë në:

-Zbatimin me rigorozitet të planeve të përbashkëta me Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH), për kontrollin, verifikimin dhe zbatimin e rregullave të magazinimit, tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, nga subjektet e licencuara, si dhe

-Intensifikimin e kontrolleve në territor dhe në këtë kuadër, ndihmësspecialistët e Policimit në Komunitet/SPZ-të, patrullat e përgjithshme, ndihmësspecialistët për kontrollin e armëve, duhet të shtojnë kontrollet sipas zonave që mbulojnë, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, të bëjnë dokumentimin e tyre dhe bllokimin e sendeve të kundërligjshme.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tregtimit apo përdorimit të fishekzjarrëve dhe lëndëve piroteknike, duke u garantuar ruajtje të anonimatit, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

 

j.l./ dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *