“Mirëkuptimi” me Ballën! Ja çfarë përmban drafti i Alibeajt për raundet e Presidencës

Opozita duhet të ketë gati një emër për të propozuar për president deri në raundin e tretë. Kjo është marrëveshja  që ranë dakord  ditën e sotme 18-05-2022 Partia Socialiste dhe kryetarët e grupeve parlamentar.

Nga diskutimet doli një dokument i përbashkët, që i lë hapësirë mazhorancës të pranojë ose jo emrat që do të propozojë opozita, e cila në takim u përfaqësua nga Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Orjola Pampuri, Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.

“Nuk kemi besim te ju. E pranoni këtë dokument? Po apo jo? Tre raundet e para, propozimi të jetë i opozitës. Pikë! Asgjë më shumë” ishte propozimi i Alibeajt për socialistët në takim.

Por çfarë parasheh drafti Alibeaj për tre raundet e para?

Drafti Alibeaj

Procesi duhet të synojë me çdo kusht zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të cilësuar prej të paktën 84 vota

Një formulë për procesin, pa qenë e kufizuar dhe që mund të përsoset me kontributin e të gjitha grupeve parlamentare, mund të jetë si më poshtë:

Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë;

Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik;

Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh.

Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

Kjo procedurë përsëritet për çdo raund, ku s’kualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare.

Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mos riparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *