Ministër i Brendshëm gjatë fushatës. Kush është Besfort Lamallari?

Besfort Lamallari është deleguar nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, për të marrë kompetencat e këtij posti deri më 30 prill, kjo për shkak të fushatës elektorale. Këto kompetenca Lamallari i ka marrë në datën 25 mars dhe do i mbajë deri në 30 prill, 5 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë, dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Pra, deri në shpalljen e fituesit të 25 prillit, Çuçi ia ka deleguar kompentencat vartësit të tij. Duke iu referuar vendimit më të fundit të publikuar në Fletoren Zyrtare, do të jetë zëvendësministri Besfort Lamallari që do të drejtojë Ministrinë e Brendshme deri pas zgjedhjeve parlamentare. Ky është rasti i parë që ministër vendos t’i delegojë kompetencat e tij në prag të zgjedhjeve.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është kandidat për deputet në qarkun Gjirokastër, dhe se ministria që ai drejton ka një peshë specifike për çështjen e zgjedhjeve.

Kush është Besfort Lamallari?

Besfort Lamallari është Zëvendësministër i Brendshëm që nga 9 tetori 2017. Ai ka lindur më 18 korrik 1987, në Peshkopi, Dibër. Ai ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2009.

Në 2013 është diplomuar në Universitetin e Oksfordit në programin Master shkencor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale. Më herët ka ndjekur studimet pas-universitare në Itali LL.M “Bashkëpunimi Ndërkombëtar kundër Krimit të Organizuar Transnacional”.

Ai është trajnuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), si dhe Akademia e Studimeve Politike – Program i Këshillit të Europës.

Lamallari vjen nga një eksperiencë intensive kërkimore shkencore, nga e cila spikat roli i tij si hulumtues i pavarur dhe autor i një sërë studimesh në fushën e krimit të organizuar, radikalizmit dhe terrorizmit.

Njëkohësisht ai ka punuar si konsulent i jashtëm për organizma ndërkombëtare, përfshi Këshillin e Europës, OSBE-në, Projektin e BE-së IPA 2010 për “Zhvillimin e Burimeve Njerëzore”, etj.

Në prill 2017, mori detyrën e Këshilltarit të Ministrit të Punëve të Brendshme, për çështje të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogave, radikalizmit dhe terrorizmit.

Ai ka përfaqësuar Kabinetin e Ministrit të Brendshëm në takimet dhe komunikimet me UNODC, Europol, Qendrën Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Narkomanisë (EMCDDA), FRONTEX dhe Kolegjin e Policisë Europiane (CEPOL).

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *