Memorandum me Serbinë për energjinë, Rama: Kemi nevojë për mbështetje, nuk prodhojmë dot kaq sa harxhojmë

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria mund të vuajë nga kriza energjitike në muajt e ardhshëm. Rama theksoi se një nga pikat e marrëveshjes me Serbinë është ajo në kuadër të energjisë, ku Serbia do t’i japë energji Shqipërisë ndërsa, vendi ynë do t’i japë qymyr.

Gjatë fjalës së tij në konferencën me gazetarët në Beograd, Rama nuk la pa përmendur as naftën, ku theksoi se Shqipëria gjendet në vigjilje të konfirmimit ose jo të mundësisë për të vënë në shfrytëzim një sasi shumë të madhe nafte dhe gazi, në juglindje. Ai shton se kjo sasi e madhe naftë e zbuluar është në fazën e analizimit, sepse duke qenë në shtresë të thellë ka nevojë për analiza dhe më pas të dalë në treg.

“Ishte një pyetje për…kërkoni përgjigje sepse e marr me mend se si mund të spekulohet më pas me këtë në media, është e vërtetë që Shqipëria gjendet në vigjilje të konfirmimit ose jo të mundësisë për të vënë në shfrytëzim një sasi shumë të madhe nafte dhe gazi, në zonën e Shpiragut, pra le të themi në juglindje, por kjo nuk ka të bëjë me atë që kemi diskutuar apo me çfarë kemi të bëjmë së bashku me Maqedoninë e Veriut. Kjo sasi e madhe naftë e zbuluar nga Shell është në fazën e analizimit, sepse duke qenë në shtresë të thellë ka nevojë për analiza dhe më pas të dalë në treg. Ajo që kemi diskutuar është për bashkëpunimin energjitik dhe që është në momerandumin e shkruar sot ka të bëjë, duke pasur parasysh që jemi 100% energji e gjelbër, në bazohemi tërësisht në kapacitetet tona hidrike, ndërsa Serbia në termo dhe ka nevojë për qymyr.

Në kushtet që krijohet shkëmbimi i qymyrit me energjinë, kjo mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për të dyja palët. Përsa i përket gazit, Shqipëria ka një mundësi historike në Portin e Vlorës. Kemi hyrë në fazën e një projekti për ta transformuar hyrjen në atë port në një terminal të gazit të lëngshëm, dhe në TEC-in e Vlorës ku është një infrastrukturë për energji termo dhe të mund të prodhohet energji elektrike. Ne jemi në bisedime me Kosovën e Maqedoninë e Veriut për t’i bërë pjesë të këtij projekti. Presim dhe AquaPower nga Arabia Saudite, kemi një plan të qartë për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto, por kjo do të kërkojë disa vite. E fundit që kam, ka një keqkuptim që vazhdon se meqë ne bazohemi në hidro e kemi të siguruar energjinë dhe mjafton që të mos e shesim. Është keqkuptim sepse nuk e prodhojmë dot të tërë energjinë që konsumojmë, edhe në ditët më të lagështa.

Së dyti ne nuk kemi mundësi që të depozitojmë ujin e tepërt kur kemi reshje dhe për këtë arsye kur nuk ka reshje, sidomos në verë, varemi nga importi. Duke ndërtuar hidrocentralin e ri që do të jetë dhe depozituesi, parqet voltaike, duke integruar dhe gazin e lëngshëm ne do të jemi në kushte më të mira, ajo që është e qartë është se ne jemi në kushte të vështira, kemi nevojë të jashtëzakonhsme për durim, mbështetje e bashkëpunim”, deklaroi Rama.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *