Mali i Thatë quhet kështu pasi me të vërtetë është i thatë?

Prej këtij mali nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta, po ashtu gjatë gjithë vitit nuk buron asnjë përrua që të ketë ujë.
Mali i Thatë duket shumë bukur dhe qartë si nga qyteti i Korçës ashtu dhe nga Pogradeci.
Ai përmendet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm. Mali i Thatë përmendet indirekt apo direkt edhe në shkrimet e lashta, në ato bizantine, në ato osmane, e deri tek shkrimet e udhëtarëve të huaj të cilët shkelën në tokën shqiptare gjatë shekujve të fundit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit ku quhet Galicicë. Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe (në lindje të vet), nga ai i Ohrit (në perëndim). Për nga ana gjeologjike Mali i Thatë përbëhet kryesisht prej formacione gëlqerorësh të periudhës së mesozoikut.
Konfiguracioni i Malit të Thatë është tepër interesant.
Nga ana e Fushës së Korçës (pra nga jugperëndimi), por edhe nga ajo e Liqenit të Pogradecit (pra nga perëndimi) ai është shumë i pjerrët dhe impozant, ndërsa nga veriu dhe lindja ai ka zbritje të buta, me pllaja – pllaja. Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshët, e sheshtë dhe me gropa karstike. Të tilla gropa janë të pranishme gjithashtu edhe në anën perëndimore të tij. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit (pra maja e tij është, majë pusi!) e cila është 2287m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjërë rreth 8km në pjesën qëndrore të vet. Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçe ashtu dhe prej Pogradeci.
Flora është e pasur, në pjesën jo të pjerrët të malit, pra në atë lindore e veriore, dhe në mbulesën e gjelbërt të këtij mali gjenden, luadhe (ku ka edhe salep e krokus), drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme. Kohët e fundit ndaj pyjeve që veshin Malin e Thatë, janë bërë mjaft dëmtime ekologjike, nëpërmjet prerjeve jo të rregullta të drurëve pyjorë dhe të shfrytëzimit të gurit gëlqeror duke e ç ‘veshur edhe më tepër, këtë mal të thatë. Lidhur me faunën përmendet se, përveç shpendëve të ndryshme, aty ka mjaft ujqër si dhe rrallë herë takohet edhe ariu. Ndërkaq në Goricë, që është një fshat në këmbën veriore të këtij mali, gjenden baokside hekuri dhe minerale kalçiumi dhe magnezi.
Mali i thatë ndahet prej Malit Ivan (1768m mbi nivelin e detit) prej një qafe, Qafës së Zvezdës, e cila ndan njëkohësisht edhe fushën e Korçës nga pellgu i Liqenit të Prespës. Kjo qafë ndodhet në lartësinë 1099m, mbi nivelin e detit.
Thuajse në këmbë të Malit të Thatë, ndodhet edhe grykëklaimi i Cangonjit që lidh fushën e Korçës, me atë të Devollit. Në rrëzë të tij ndodhen gjithashtu një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj. Nga maja e Malit të Thatë në kohë të kthjellët duket maja e malit të Gramozit, që është në një distancë në vijë të drejtë prej 65 km larg.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *