Ndërkohë që skandali me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Shëngjinit po zgjerohet dita-ditës, vdekja tragjike e një punëtori 26-vjeçar në një pallat në ndërtim vazhdon të mbetet e paqartë. Ngjarja, e ndodhur disa ditë më parë, është përfshirë nga tentativa për të zhdukur provat, ku sipas burimeve nga hetimi, vetë drejtuesi teknik i punimeve, Sokol Toma, tashmë i shpallur në kërkim dhe pronari i objektit Gjin Tusha ka ndërhyrë për të fshehur gjurmët e ngjarjes fatale.

Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia e priza.al, punëtori Anton Zefi, 26 vjeç, nuk ishte i pajisur me kontratë pune, sigurime apo kushte minimale sigurie. Ai ishte punësuar në të zezë nga Sokol Toma, i cili jo vetëm drejtonte punimet, por është edhe një ndër figurat kyçe në rrjetin e ndërtimit të objekteve shumëkatëshe me dokumente të falsifikuara në Shëngjin.
Burime të afërta me grupin hetimor konfirmojnë se Sokol Toma, nga arratia, po përdor çdo mjet për të shmangur drejtësinë. Ai ka ofruar shuma të mëdha parash për të ndikuar në vendimet gjyqësore, për të shmangur masën e sigurisë dhe për të penguar hetimin e thelluar të rastit. Frika më e madhe në prapaskenë është se një hetim i plotë mund të nxjerrë në dritë një skemë të gjerë kriminale ku përfshihen zyrtarë të lartë të Bashkisë Lezhë, IKMT-së, Policisë së Shtetit dhe Kadastres.

Në qendër të këtij rrjeti akuzohet të jetë drejtuesi i zyrës së Kadastres në Lezhë, Altin Gjergji, i cili, sipas hetimeve, ka legalizuar në mënyrë të përsëritur objekte shumëkatëshe të ndërtuara pa leje apo me leje të falsifikuara.
Ky aksident tragjik në vendin e punës nuk është thjesht një rast i izoluar, por mund të shërbejë si provë kyçe për Prokurorinë e Lezhës dhe për SPAK, që të zbardhin në themel një nga aferat më të mëdha të ndërtimeve të paligjshme në vend. Vetëm gjatë viteve të fundit, në Shëngjin janë ngritur me dhjetëra pallate në shkelje flagrante të ligjit, ndërsa institucionet kanë mbyllur sytë.
Ngjarja kërkon reagim urgjent dhe të vendosur nga organet e drejtësisë, për të ndalur një herë e mirë këtë masakër urbane dhe kriminale në një nga zonat më të lakmuara turistike të vendit.
