Lajçaku për dialogun: Nëse s’kryhen gjërat deri më 2024, duhet nisur gjithçka nga e para

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se mosbesimi në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbërritur nivelin më të lartë ndonjëherë, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës. Në një deklaratë për “Politico”, Lajçak ka thënë se heqja e barrikadave të enjten ka zgjidhur problemin, por se tensionet mbesin në nivel të lartë. Duke pranuar se ka caktim afatesh për dialog, Lajçaku ka thënë se po që se dialogu s’përmbyllet në vitin 2023, atëherë “duhet nisur gjithçka nga e para”.

“Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurdoherë”, ka thënë ai, në ditën kur në veri u hoqën barrikadat që qëndruan për 20 ditë, pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Serbët hoqën barrikadat nga rrugët në veri pas vendimit që masa e paraburgimit t’i ndryshohej në arrest shtëpiak.

“Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tash është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se afati i marsit ka për qëllim që të përcjellë seriozitetin e arritjes së marrëveshjes, siç shkruan “Politico”. Ky medium tutje ka thënë se komuniteti ndërkombëtar po ndjen urgjencën për ta zgjidhur çështjen duke pasur parasysh luftën e Rusisë dhe se Kremlini ka kohë që kërkon ta joshë Ballkanin të rrijë larg BE-së.

Lajçaku ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për takim – por “problem është rezultati”.

“Dy takimet e fundit ishin në rregull sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhën. Ka gjithmonë pritje të mëdha nga këto takime”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përsëritja e tensioneve të përcjella nga zgjidhjet e përkohshme po bën që negociatorët të angazhohen në “fikjen e zjarrit, pasi s’mund të ketë fokus në normalizim kur ka kriza”.

Përderisa kriza e fundit “ka marrë fund”, ka thënë ai, “shpresoj që të mos ketë në javën e ardhshme krizë tjetër – ose të harrojmë për normalizim”.

Sipas tij, aktualisht koha është ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada.

“Tani për tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA – prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose fillim 2024”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA do të mbahen më 2024.

“Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, do të duhet të nisim gjithçka nga fillimi. Nëse kthehemi në kriza e përplasje, të harrojmë afatet”, ka thënë Lajçaku.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *