Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë duhet të normalizohen dhe kjo është e mundur duke u mbështetur në fuqinë e SHBA-së dhe BE-së. Ai u shpreh se BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’u bëjnë trysni Beogradit që të krijohen marrëdhënie normale dhe të arrihet marrëveshje me njohje reciproke në qendër.
“Presidenti amerikan e ka thënë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe ne plotësisht pajtohemi. Normalizimi ka nevojë për marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, që njohjen duhet ta ketë në qendër. Besoj se është e mundur sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjë trysni shtesë mbi Beogradin. Ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin” – është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se problemi qëndron te Beogradi, dhe për këtë, ka theksuar ai, nevojitet trysnia nga ndërkombëtarët. Kurti ka mohuar raportet për çnjohje të cilat janë bërë nga Serbia. Ai ka thënë se çdo pretendim i Aleksandër Vuçiçit gjithnjë ka dalë i pavërtetë.