Kthehet 50 vite pas, Gjykata e Lartë e SHBA anulon të drejtën e abortit

Ditën e djeshme, Gjykata e Lartë e SHBA vendosi që të anulojë  vendimin e njohur si ‘Roe kundër Wade’, i cili garantonte abortin që nga viti 1973, duke e konsideruar atë si një e drejtë kushtetuese në Shtetet e Bashkuara.

Me një shumicë prej gjashtë (kundër tre) gjyqtarësh, Gjykata mbështeti një ligj të shtetit të Misisipit që e ndalon abordin pas 15 javësh, duke rrëzuar vendimin në fuqi, që lejonte ndërhyrjet nga 24 deri në 28 javë të shtatzënisë.

Gjyqtarët konsideruan se vendimi ‘Roe kundër Wade’, bazohej në një interpretim të njëanshëm ligjor, pasi Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara nuk e përmend në mënyrë specifike të drejtën për abort.
“Vendimi i vitit 1973 ishte gabim”, ka shkruar gjyqtari Samuel Alito, i cili ka firmosur opinionin e shumicës
të Gjykatës. “Logjika e tij ishte veçanërisht e dobët dhe vendimi kishte pasoja katastrofike”.
Ky vendim, më i rëndësishmi i marrë nga Gjykata e Lartë që prej dekadash, është një nga rastet e rralla ku gjykata supreme vendos të prishë një nga vendimet e saj të mëparshme, duke suprimuar një të drejtë kushtetuese që ishte fituar më parë. Precedenti i fundit ka qenë ai i anulimt të segregacionit.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk është automatikisht një ndalim i pastër i abordit, por ai u jep secilit prej shteteve të veçanta përgjegjësinë për të hartuar ligjin siç e shohin ata të arsyeshme.

Gjysma e pesëdhjetë shteteve amerikane synojnë të ruajnë ligjshmërinë e abortit, dhe kanë ligje të miratuara që e garantojnë atë. Gjysma tjetër, ka miratuar ose po përgatitet të votojë kufizimet për kohëzgjatjen ligjore të abortit, dhe për të rregulluar procedura më rigoroze.

Ky debat zgjat për dekada duke qenë një nga më përçarësit në politikën amerikane dhe një nga betejat më të egra mes aktivistëve nga të dy kampet.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 1973 e sanksionoi të drejtën për abort si një të drejtë kushtetuese në emër të privatësisë të gjithsecilit dhe te drejtës së grave per të vendosur për trupin e tyre.

Ky vendim vjen si pasojë e forcimit të një rryme konservatore, në vitet 1980, e cila krijoi bindjen se Gjykata kishte shpikur të drejta që nuk i parashihte Kushtetuta, duke i bërë një interpretim uzurpues frymës së saj.

Prej kësaj kohe daton dhe përpjekja për të zëvendësuar gjykatësit liberalë me ata konservatorë që bëjnë një lexim, fjalë për fjalë, dhe më pak interpretativ të amendamenteve kushtetuese.
Loja e emërimeve të njëpasnjëshme presidenciale ndonjëherë është ndihmuar edhe nga rastësia, si vdekja e
gjyqtares liberale Ruth Bader Ginsburg, gjatë javëve të fundit të mandatit të Donald Trump. Po ashtu qenë manovrat e republikanëve në Senat, të cilat e penguan Obamën emërojë kandidatin e tij, gjatë vitit të fundit të mandatit, ndërsa e lejuan Trumpin të vendosë 3 gjyqtarë tejet konservatorë duke bërë që Gjykata e Lartë të dominohet nga gjashtë gjyqtarë konservatorë kundër tre progresive.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *