KQZ ka urdhëruar të ndërpritet transmetimi i spoteve të ‘Bashkë Fitojmë’/ Zëdhënësja e Berishës: Rama ‘pushton’ ekranet

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se “KQZ nuk shikon transmetimet e Edi Ramës dhe PS, në çdo ekran dhe në çdo orë të ditës e natës, por urdhëron që të mos transmetohen më materialet e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Jemi pra në kushtet kur opozitës i përcaktohet me forcë kryetari i koalicionit, i merret logo dhe vula dhe më pas diskriminohet edhe në kohë televizive”, shprehet ajo, teksa bën thirrje: “OSBE-ODHIR ta marrë parasysh këtë denoncim të opozitës në raportin përfundimtar të zgjedhjeve”.

Deklarata e Floriana Garos:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar të vetmet media që transmetojnë spotet e fushatës së opozitës dhe i japin asaj minutazh pa diskriminim, të ndërpresin menjëherë transmetimin.

Teksa zgjedhjet po zhvillohen në kushte të pabarabarta, me mediat në dorë të pushtetit, KQZ nuk shikon transmetimet e Edi Ramës dhe PS, në çdo ekran dhe në çdo orë të ditës e natës, por urdhëron Shijak Tv dhe Syri TV mos transmetojnë më materialet e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Gjoba për dy televizionet është një tjetër kambanë alarmi e anësisë së KQZ dhe institucioneve të tjera të zgjedhjeve, dhe e pabarazisë së subjekteve politike në këtë fushatë.

Kur vjen tek koha televizve që opozitës ia sheh me lupë, KQZ mbyll sytë para kërdisë që bën AMA e partisë.

Koalicioni Bashkë Fitojmë është në dijeni të një skeme të ngritur në Autoritetin e Medias Audiovizive (AMA), për ti shtuar minutat televizive të Partisë Socialiste.

Javën e 14-22 prillit, PS ka përfituar plot 20 min në televizionet proqeveritare, një prej tyre TV kombëtar.

Pjesë e kësaj skeme, e pranon ose jo, është bërë edhe institucioni KQZ që nuk i ka publikuar minutazhet e AMA-s në faqen online, sic e kërkon ligji.

Për të kuptuar se pse e bën AMA këtë, i kujtojmë publikut se kryetare është ish-zëdhënësja e Ramës dhe nënkryetare, ish-zëdhënësja e Bashës.
Ndërsa, shefja e monitorimit në AMA, është mbesa e Eltar Dedës, një eksponenti të PS.

Jemi pra në kushtet kur opozitës i përcaktohet me forcë kryetari i koalicionit, i merret logo dhe vula dhe më pas diskriminohet edhe në kohë televizive.

I bëjmë thirrje AMA dhe KQZ të mos e ulin edhe më tej imazhin e tyre, dhe t’i kthehen rendit institucional. Asnjë institucion nuk është organ i PS dhe Ramës, por i shtetit shqiptar.

Rrogat e tyre nuk i jep Rama, por shqiptarët që paguajnë taksat.

I kërkojmë OSBE-ODHIR ta marrë parasysh këtë denoncim të opozitës në raportin përfundimtar të zgjedhjeve.

Shqiptarëve u bëjmë thirrje që të mos tremben, sepse këto hile të pushtetit nuk tregojnë forcë, por dobësi.

Për çdo abuzim zgjedhor që shihni, drejtojuni faqes transparenca.com

Një thirrje të fundit për të gjithë ju: dilni dhe votoni të dielën! Vetëm vota juaj e merr pushtetin nga duart e një grushti njerëzish dhe e kthen në duart tuaja.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *