‘Konkurrenca’ mbyll hetimin në tregun e vajit vegjetal, zbardhen rezultatet

Autoriteti i Konkurrencës mbylli këtë muaj hetimin e thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal, pa konstatuar shkelje ligjore. Në përfundim të analizës së çmimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, rezultoi se, gjatë periudhës hetimore, rritja e çmimit të shitjes me shumicë e bërë prej ndërmarrjeve nën hetim ka reflektuar rritjen e çmimit mesatar të importit.

Po ashtu, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nuk janë të përafërta për këto ndërmarrje. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Agro Blend, Bomira, Devi 20 – Grup, Eqerem-934, Ferra & Co SHPK, Globcom, Kriket-1, Teuta Durres dhe PDF.

Hapja e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal u bë më shumë se një vit më parë, në 18 mars 2022. Hetimi u hap në vijim të rritjes së fortë të çmimeve të këtij produkti, në tremujorin e parë të vitit të kaluar dhe përfshiu periudhën kohore nga 20 maj 2021 deri në 18 mars 2022.

Megjithatë, hetimi i thelluar nuk ka evidentuar marrëveshje të ndaluara, sjellje të bashkërenduar apo sjellje të tjera në shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Çmimet e vajit vegjetal shënuan një rritje të fortë veçanërisht me shpërthimin e luftës në Ukrainë, por gradualisht, ato nisën të bien në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe aktualisht janë kthyer afërsisht në nivelet ku ndodheshin përpara valës inflacioniste.

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës shqyrtoi këtë muaj edhe raportin mbi hetimin paraprak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të shitjeve me shumicë të produktit beton, në qarkun e Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit është vërejtur se çmimet e aplikuara nga ndërmarrjet janë të ndryshme nga njëra – tjetra dhe ritmi i ndryshimit të tyre është i ndryshëm, duke mos vërejtur shenja të caktimit të çmimeve apo koordinimit të tyre në ritmin e rritjes apo të zbritjes.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të paraprak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, në tetor të vitit të kaluar.

Nga monitorimi është konstatuar se disa nga ndërmarrjet konkurrente kanë marrëdhënie tregtare me njëri-tjetrin lidhur me plotësimin e nevojave për furnizim.

Gjithashtu, rritja e çmimit të betonit në të gjitha ndërmarrjet ka ndodhur në të njëjtën kohë në periudhën shkurt-mars të vitit 2022 dhe në të njëjtën masë rreth 30%. Ndërkohë, çmimet e shitjes së produktit beton ndërmjet ndërmarrjeve rezultuan të përafërta, sipas kategorive të betonit.

Bazuar në faktet e mësipërme, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se çmimet e përafërta të shitjes së ndërmarrjeve prodhuese të betonit, rritja në të njëjtën periudhë, homogjeniteti i produktit dhe transparenca e tregut, marrëdhëniet tregtare ndërmjet konkurentëve në këtë treg janë të gjithë elementë të cilët mund të çojnë drejt një sjellje të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Megjithatë, në fazën e hetimit nuk janë gjetur prova të një sjelljeje të tillë dhe hetimi paraprak është mbyllur, pa kaluar në fazën e hetimit të thelluar./Monitor.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *