Iran/ Kërcyen përpara një monumenti, çifti dënohen me 10 vite burg

Një gjykatë iraniane ka dënuar me më shumë se 10 vjet burg një çift të ri që kërcyen para një prej monumenteve kryesore të Teheranit. Videoja e tyre u konsiderua një simbol i kundërshtimit kundër regjimit, kanë thënë aktivistët.

Astiyazh Haghighi dhe i fejuari i saj, Amir Mohammad Ahmadi, të dy në fillim të të 20-tave, u arrestuan në fillim të nëntorit pasi një video u bë virale, ku ata shfaqeshin duke kërcyer në mënyrë romantike përpara Kullës Azadi.

Haghighi nuk mbante shami, në kundërshtim me rregullat strikte të Iranit. Gratë gjithashtu nuk lejohen të kërcejnë në publik, aq më tepër me një burrë.

Gjykata në Teheran i dënoi ata me 10 vjet e gjashtë muaj burg, si dhe i ndaloi të përdornin internetin dhe të largoheshin nga Irani, tha Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në SHBA (HRANA).

HRANA citoi burime të afërta me familjet e tyre të thoshin se ata nuk ishin lejuar të kishin avokatë gjatë procedurave gjyqësore dhe përpjekjet për të siguruar lirimin me kusht ishin refuzuar.

Autoritetet iraniane kanë shtypur ashpër të gjitha format e protestave që pas vdekjes së Mahsa Amini në shtator. Vdekja e Amini-t, e cila arrestua për shkak të shkeljes së kodit të veshjes dhe dyshohet se u dhunua deri në vdekje, shkaktoi protesta që janë kthyer në një lëvizje kundër regjimit.

Të paktën 14,000 njerëz janë arrestuar, sipas Kombeve të Bashkuara, duke filluar nga personazhe të famshëm, gazetarë dhe avokatë e deri te njerëzit e thjeshtë që dolën në rrugë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *