Pasi vizitoi 7 qytete, autobusi me stafin e ambasadës së Bashkimit Evropian ndaloi ditën e diel në Tiranë. Tingujt e muzikës tradicionale shqiptare pushtuan sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa grupit të valltarëve iu bashkuan edhe disa prej ambasadorëve të BE-së. Kreu i delegacionit Luigi Soreca theksoi se vizitat në disa prej bashkive të vendit kanë për qëllim informimin e stafeve të këtyre të fundit mbi rëndësinë që ato do të kenë në zbatimin e legjislacionit të BE gjatë procesit të integrimit.
“Ideja ishte që ne në fund të fundit të tregojmë se ne jemi një skuadër BE. Ideja ishte të tregojmë se çfarë ka bërë BE-ja, se çfarë do të bëjë në vijim për Shqipërinë. Në fokusin tonë ishte që të vizitoninm sa më shumë bashki të ishte e mundur.”
Në sheshin Skënderbej Ambasadori Soreca u ndal në disa prej stendave nga ku promovoi mbështetjen e Bashkimit Evropian kryesisht për bujqësinë, kulturën, arsimin e shëndetin. Në kuadër të ditëve të Evropës delegacioni i BE do të vizitojë disa qytete për ta përmbyllur turin dy javor në datën 29 Maj në Konispol.