Dita e mbulimit shëndetësor universal, Manastirliu: Akreditohen 261 institucione shëndetësore

Në Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësr Universal janë akredituar 261 spitale dhe qendra shëndetësore në të gjithë vendin. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Ministrja Manastirliu u shpreh se procesi i akreditimit ka qenë një proces i gjatë dhe sfidues për plotësimin e standardeve të strukturave shëndetësore.

Sot ne japim çertifikatat e akreditimit për 261 institucione shëndetësore. 261institucionë shëndetësore akreditohen duke marrë standardet e vlerësimit bazë dhe optimale, nga një bord i akreditimit të Agjencisë së Standardeve të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor, pas një procesi, i cili ka qenë i gjatë, i cili ka kërkuar shumë mund nga të gjithë ju, por në fund i’a kemi dalë. Janë 4 Spitale Universitare që akreditohen, janë 11 Spitale Rajonale që akreditohen, janë 19 Spitale Bashkiake që akreditohen, janë 225 Qendra Shëndetësore që akreditohen, janë 2 klinika jopublike që akreditohen. Dhe kjo është një punë që është finalizuar përgjatë këtij viti, tha Manastirliu.

Duke folur për forcimin e kapaciteteve në strukturat shëndetësore, Manastirliu tha:

Ne e dinim që 5 vite më parë kjo nuk ishte e lehtë. 5 vite më parë ishin vetëm 5 institucione shëndetësore, publike dhe jo-publike të akredituara. Vetëm 5 insitucione kishin bërë hapin e madh drejt akreditimit. Më pas filloi një punë në të gjitha aspektet për forcimin dhe fuqizimin e gjithë sistemit tonë shëndetësor, në të gjithë aspektet e tij. Filluam punën për rehabilitimin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave nëpërmjet programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Finalizuam fazën e parë, jemi në fazën e dytë tashmë më 40 qendra të cilat janë në proces rehabilitimi, e duke filluar nga viti i ardhshëm në 60 qendra të tjera, për të shkuar në 400 në numrin total në këto vite. Ne kemi ndërtuar dhe kemi rindërtuar strukturat tona të materniteteve, janë 5 maternitete të cilat janë rindërtuar në këto vite. Janë 5 spitalet pediatrike të cilat janë rehabilituar apo ndërtuar në të gjithë vendin, ndërkohë që vijon dhe rehablilitimin e strukturave tona të kujdesit spitalor në të gjithë vendin. Sot kemi spitale të kompletuara, në të gjithë aspektet e shërbimeve horizontale, që prekin laboratorin dhe imazherinë. E theksoj këtu sepse deri përpara disa vitesh ishte një përpjekje shumë e madhe që bëhej për të marrë një shërbim bazë të kompletuar në një spital rajonal. Sot nuk ke nevojë më t’i përsërisësh analizat, kur shkon në qendrën spitalore universitare, sepse ke të njëjtin standard si në Dibër, si në Kukës, si në Sarandë, si në Vlorë, pra kemi bërë një hop cilësor

Duke folur për pagesat për performancë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

Ne përgjatë vitit 2023 do të fillojmë një tjetër hop cilësor përsa i përket performancës së sistemit shëndetësor, duke filluar nga qendrat shëndetësore tek spitalet. Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor është duke përgatitur kontratat e reja të financimit të spitaleve bazuar mbi produktivitetin, bazuar mbi performancën dhe mbi indikatorët tregues për çdo spital. Ligji i ri i Kujdesit Spitalor nëpërmjet modelit të Autonomisë Spitalore do të bëjë të mundur që të hapë një tjetër rrugë drejt pagesave dyfishe, drejt pagesës për performancë, drejt efiçiencës dhe efikasitetit të përdorimit të burimeve, drejt modelit të ri të autonomisë spitalore, i cili fillon me Spitalin Memorial në Fier, duke e aplikuar nga fillimi i vitit tjetër

Sot u akredituan 261 institucione shëndetësore në vend, të cilat sapo kanë plotësuar kriteret për të qenë institucione të akredituara dhe ky u konsiderua nga Ministrja Manastirliu si një hap përpara drejt cilësisë së shërbimeve dhe standardizimit të tyre në dobi të qytetarëve. Janë akredituar në vitin 2022 katër janë spitale universitare, 11 janë spitale rajonale, 19 janë spitale bashkiake, 225 qendra shëndetësore në gjithë vendin si dhe dy klinika shërbimi shëndetësor jopublik.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *