Dështon operacioni/ 80 policë ngrihen në këmbë, asnjë rrënjë kanabis nuk gjejnë

Ka dështuar operacioni i Policisë së Divjakës për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Në aksion kanë marrë pjesë 80 efektivë policie, ku janë kontrolluar banesa të braktisura, magazina të ndryshme, ambiente të hapura etj. Por, nuk është mundur të gjendet asnjë bimë e kultivuar kanabisi.

Pavarësisht se nga policia është “shitur” si një  operacion i suksesshëm, ka dyshime se operacioni është dekonspiruar.

Njoftimi i Policisë:

Vijon kontrolli masiv në të gjithë territorin e qarkut Fier, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Ditën e djeshme, me mbështetje edhe të FNSH Fier, kontrollet e imtësishme janë ushtruar në territorin që mbulon Komisariati i Policisë Divjakë. 80 efektivë policie të Komisariatit të Policisë Divjakë, të DVP Fier dhe të FNSH Fier, gjatë ditës së djeshme, kanë ushtruar kontroll masiv në territor, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

12 grupet e kontrollit të ngritura në Divjakë, kanë ushtruar kontrolle në 264 sera, minisera, banesa të braktisura, magazina të ndryshme, ambiente të hapura etj.

Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve, nuk u konstatua ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Kontrolli i territorit do të vijojë çdo ditë në të gjithë qarkun Fier, në përmbushje të prioritetit kryesor, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *