Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rritja e çmimeve në Shqipëri është sa gjysma e rritjes në vendet e Rajonit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama thotë se arsyeja kryesore e këtij frenimi të inflacionit është mburoja financiare e qeverisë mbi çmimin e energjisë.
“Sipas raportit të shtatorit të Bankës Botërore @worldbank për Sigurinë Ushqimore, në analizën e efekteve të luftës mbi çmimet në produktet ushqimore dhe gjendjen e prodhimit/furnizimit, Shqipëria rezulton me nivelin e inflacionit më të ulët mbi çmimet e produkteve ushqimore, krahasuar me vendet e rajonit. Rritja e çmimeve në Shqipëri është thuajse sa gjysma e rritjes së raportuar në pothuaj të gjithë vendet e rajonit. Arsyeja themelore e frenimit të galopit të inflacionit në vendin tonë është mburoja financiare e qeverisë mbi çmimin e energjisë, i cili mbahet i paprekur nga rritja si rezultat i kompensimit masiv nga buxheti i shtetit”, shkruan Rama.
Por, sa e vërtetë është kjo gjë?
Ndërkohë që Shqipëria është prekur nga një krizë ekonomike dhe paga mesatare në vendin tonë është më e ulët se vendet e Rajonit, Rama vazhdon të deklarojë se “nuk qenkemi kaq keq sa duket” pasi rritja e çmimeve në vendin tonë është sa gjysma e vendeve të rajonit.
Rama harron se pagat në vendet e Rajonit, janë pothuajse edhe një herë më të larta sesa në Shqipëri. Dhe pretendon se ne kemi çmime të ulëta.
Por, po të krahasojmë Shqipërinë me Kosovën, paga mesatare është 434 euro ndërsa në vendin tonë 320 mijë lek.
Qeveria e Kosovës ka dyfishuar pagat për sektorin e shëndetësisë duke paguar me rreth 1.200 euro një mjek specialist dhe mbi 500 euro një infermier, ndërsa në vendin tonë një mjek specialist në shërbimin spitalor paguhet me pagë neto rreth 527 euro.