Çollaku: PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët, ndryshe i falim bashkitë Ramës

Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka komentuar zhvillimet në PD. Ai ka deklaruar se Partia Demokratike duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale, ndërsa tha se skenar i kundërt do t’i falte Ramës bashkitë.

Çollaku theksoi se më emergjente është sfida e zgjedhjeve lokale sesa ajo që e cilësoi si “konflikti i Tiranës” për legjitimitetin e PD-së në tërësi dhe strukturave të saj.

“Secili nga ne e ka të qartë se me ripërsëritjen e 6 marsit, i falim pushtetin lokal qeverisë. Do të ishte mungesë përgjegjshmërie nëse ne konfliktin e Tiranës, nuk mund ta mbajmë si një mur, që do të penalizojë me humbjen e të gjithë demokratëve tanë në bazë.”

I pyetur për mundësitë që “pjesa e Alibeajt” ka për të nxjerrë kandidatura dhe për të organizuar fushatën elektorale, Çollaku kujtoi se anëtarët e selisë blu nuk kanë shkuar në masë në drejtim të “Rithemelimit”.

“Në 6 mars u ndanë votat. Unë u bëj një ftesë kolegëve të rithemelimit, duke marrë parasysh PD-në e 25 prillit, të marrim listën e forumeve në të gjithë vendin, e të shohim në cilin krah kanë shkuar këta eksponentë. Nëse ju ekziston një degë e vetme që kjo strukturë ka shkuar vetëm në një krah, atëherë u jap të drejtë. Ndarja është gjysmë për gjysmë, ose ndryshe.”

Sa i përket primareve, Kreshnik Çollaku tha se parimisht i mbështet, por kritika e tij e vetme është hapja përtej anëtarëve.

“Ne nuk kemi filtra… do preferoja të bëheshin brenda PD-së. Një njeri që nuk është anëtar i PD-së mund të votojë. Na fut Rama të gjithë patronazhistët dhe na i shpall simpatizantë të PD-së. Jam në favor të primareve.”

Por nëse PD po shkon drejt bashkimit nuk do të ishte e arsyeshme që pala e Alibeajt të tërhiqej nga ankimimi që i ka bërë çështjes në Apel? Çollaku është i mendimit që vendimi i Apelit duhet pasi aktualisht PD është, siç u shpreh ai, me nga dy struktura. Zgjidhja sipas tij në përfundim do të ishte një kuvend bashkimi.

Megjithatë, Çollaku theksoi se disa deputetë demokratë duhet të kujdesen që të mos i hedhin “benzinë një situate që është aktualisht e ndezur.”

“Qëndrimi i Berishës duket pozitiv, por shoh që paralel me deklaratat, sulmet vijojnë. Sot bëri një deklaratë të pavend Këlliçi në Kuvend, që tha Alibeaj është i shitur. Ka deputetë që i hedhin benzinë një klime që është aktualisht e ndezur.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *