Buxheti 2.75 miliardë euro, ja si do të bëhet ndarja e parave

Qeveria e Kosovës miratoi të premten Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë më parë një buxhet të tillë. Kurti thotë se vetëm në shtatë muaj janë arritur suksese të mëdha me këtë qeveri. Por, ku do të shkojnë të gjitha paratë e buxhetit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7% më i lartë krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë.

Nga ky buxhet, për herë të parë janë ndarë mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se “këso buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet mbi 100 milionë euro, apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor. Synimi është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të Bruto Produktit Vendor, aq sa kërkon standardi i NATO-s. Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i Agjencisë të Kosovës për Privatizim, na është mundësuar që ato mjete t’i riorientojmë në Ushtri e si rezultat do të rekrutojmë 840 ushtarë të rinj drejt përmbushjes së objektivave të tranzicionit”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai ka thënë se me këto mjete do të niset ndërtimi i 50 çerdheve në gjithë vendin, 45 milionë euro do të ndahen për të mbështetur lehonat dhe shtesat për fëmijë, s’do të ketë pensione nën 100 euro e do të ndahen 50 milionë euro për borxhet nga shpronësimet, e 40 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin, 10 milionë euro për blerje të ambasadave e dy milionë euro për Preshevën e Bujanovcin.

Kurti po ashtu ka thënë se do të ndahen mjete edhe për mbushjen e rezervave shtetërore.

“Ata i kanë zbrazur e ne do të ndajmë 10 milionë euro për muajt në vijim ashtu që ta zëmë t’i mbushim me grurin tonë të Kosovës, në mënyrë që të mund t’i përdorim sa herë ka lëkundje të çmimit në bursë për të garantuar stabilitetin e bukës”.

Kështu do të bëhet ndarja e 2.75 miliardë eurove

50 çerdhe.

45 milionë, shtesa për lehona dhe fëmijë.

2000 bursa për studentët më të mirë.

35 milionë, shtesa për skemat sociale dhe pensionale.

24 milionë për barna esenciale.

2 milionë për Luginën e Preshevës.

50 milionë, shlyerje e borxheve.

70 milionë, mbështetje për bujqit.

10 milionë, blerje e ambasadave.

40 milionë për prodhuesit vendor.

20 milionë, skema e punësimit të garantuar për të rinj.

40 milionë për ndërmarrjet publike.

10 milionë, pajisje moderne për zjarrfikësit dhe policinë.

100 milionë për ushtrinë.

840 ushtarë të rinj.

Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit.

Kryeziu thotë se 45 milionë euro do të jenë shtesa për lehona, e po ashtu do të ndërtohen edhe 50 çerdhe.

“2000 bursa për studentët më të mirë. 35 Milionë, shtesa për skemat pensionale. 24 Milionë për barna esenciale. 2 milionë për Luginën e Preshevës. 50 milionë, shlyerje borxheve. 70 milionë, mbështetje për bujqit. 10 milionë, blerje e ambasadave. 40 milionë për prodhuesit vendor. 20 milionë, skema e garantuar për punësimin e të rinjve”, thotë ai.

Kryeziu shton me tej se 40 milionë euro do të jenë për ndërmarrjet publike, 10 milionë do të jenë për pajisje moderne për zjarrfikësit dhe policinë.

/Burimi: Monitor/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *