BSH: Shtrenjtimi i ushqimeve pritet ta rrisë inflacionin me 0.8 pikë, ai i naftës me 0.5 pikë

Banka e Shqipërisë ka kryer një studim për impaktin që vala e rritjes së çmimeve mund të sjellë në inflacion gjatë tremujorëve të ardhshëm, të përqednruar kryesisht te ushqimet, nafta dhe energjia elektrike. Parashikimet për ecurinë e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, në horizontin e pesë tremujorëve të ardhshëm, janë bazuar në vlerësimet teknike të ekspertëve bazuar në të dhënat e kontratave futures dhe në peshat e grupeve të mallrave përkatëse.

Rritja e çmimit të naftës do të rezultonte në një efekt rreth 0.5 pikë përqindje në inflacion gjatë tremujorit të fundit 2021 dhe të parit të vitit të ardhshëm. Kontributi indirekt vlerësohet më i lartë, duke pasur parasysh peshën më të lartë që nafta ka në kostot prodhuese krahasuar me peshën në shpenzimet konsumatore familjare. Ndikimi në inflacion pritet në zbehje duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2022, ndikuar nga parashikimet për ngadalësim të rritjes vjetore të çmimeve të naftës në vend.

Ndikimi i çmimeve të ushqimeve të përpunuara vlerësohet të arrijë pikun në tremujorine katërt të këtij viti, me 0.8 pikë përqindje dhe të ulet në vazhdimësi. Në këtë rast, impakti direkt përmes çmimit konsumator vlerësohet më i lartë. Impakti përmes kanalit të kostos vlerësohet më i ulët për shkak të përqendrimit të konsumit të ndërmjetëm të kësaj kategorie në pak sektorë të ekonomisë.

Për sa i përket energjisë elektrike, është supozuar për lehtësi llogaritjesh, një rritje e çmimit për bizneset me 10%. Efektet direkte do të jenë zero, duke marrë të mirëqenë faktin se nuk do të ketë ndryshim të çmimit për konsumatorët familjarë. Por, rritja do të transmetohet përmes kanaleve indirekte të kostove të bizneseve të prodhimit dhe të shërbimeve, që tashmë e blejnë energjinë në treg të lirë. Rezultatet tregojnë se ndikimi në inflacion si pasojë e rritjes së supozuar me 10% të çmimit të energjisë elektrike për bizneset do të ishte rreth 0.13 pikë përqindje, i ndikuar nga pesha e vogël që energjia elektrike zë në blerjet për konsum të ndërmjetëm. Efekti do të jetë proporcional me masën e rritjes që do të faktohet duke filluar nga muajt e tremujorit të parë i vitit 2022.

Nëse mbledhim efektin e rritjes së inflacionit nga secili produkt, kjo do të rezultonte me një rritje të inflacionit gjithsej me 1.43%. Megjithatë, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, metodologjia nuk lejon mbledhjen e efekteve të dy ose më shumë kategorive për të marrë efekte agregate në inflacion, sepse ky veprim shkakton mbivendosje të ndikimeve. Rrjedhimisht, studimi nuk mundëson një vlerësim të saktë për ndikimin total të shtrenjtimit të këtyre produkteve në inflacionin total.

Efektet direkte të shtrenjtimit të secilit produkt në inflacion janë vlerësuar mbështetur në peshën që ai zë në shportën e IÇK-së, por ato gjithashtu përcaktohen nëse çmimet vendosen nga kërkesë-oferta e tregut apo nëse janë të rregulluara. Rasti i çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, është ai i një çmimi të rregulluar apo të fiksuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), pavarësisht nivelit dhe luhatjeve të çmimit të energjisë elektrike në bursat e huaja. Efektet indirekte në inflacion janë vlerësuar me anë të përqasjes së Tabelave Input-Output të Instat. Madhësia e tyre varet nga lëvizja e çmimit të mallit përkatës, nga pesha që ky i fundit zë në kostot prodhuese, dhe nga rëndësia e tij për degët e tjera ekonomisë. Struktura e konsumit të ndërmjetëm në ekonominë tonë tregon se energjia elektrike dhe nafta kanë një përdorim të gjerë sipas degëve të ekonomisë, ku nafta zë një vend më të rëndësishëm se sa energjia.

/Burimi: Monitor/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *