Bie lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore

Në vitin 20201, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore, e cila përfaqëson sasinë totale të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 18,5 milionë ton, duke shënuar një rënie prej 15,6 %, krahasuar me vitin 2019.

Struktura e burimeve të brendshme natyrore, tregon që produktet “minerale jo metalike” zënë rreth 46 %, “biomasa” 40 %, “mineralet metalike” 8 % dhe “materialet e energjisë fosile” 6 % të materialeve gjithsej.

Sasia totale e importit të materialeve mjedisore në vitin 2020 ishte rreth 4,9 milionë ton, e cila krahasuar me vitin 2019 është 3,2 % më e lartë. Pjesën më të madhe e zënë produktet e “biomasës” me rreth 1,4 milionë ton të shoqëruar nga produktet “mineralet dhe koncentratet metalike” me 1,1 milionë ton. Më pas renditen produktet “mineralet jo metalike” gjithashtu me rreth me 1,1 milionë ton, “materialet fosile të energjisë” me 1,0 milionë ton dhe në fund “produkte të tjera dhe mbetjet e importuara” me 0,3 milionë ton.

Eksportet në vitin 2020 arritën një vlerë prej rreth 4,1 milionë ton, duke pësuar një rënie prej 2,9 %, krahasuar me vitin 2019. Ndikim më të madh në rënien e eksporteve të materialeve mjedisore e kanë dhënë “materialet fosile të energjisë, eksportet e të cilave shënuan një rënie prej 12 %. Gjatë vitit 2020 ka pësuar rënie edhe eksportet e kategorive “mineralet dhe koncetratet metalike” me 4,8 % dhe mineralet jo metalike me 1,4 %. Nga ana tjetër eksportet e kategorive “produktet të tjera dhe mbetjet e eksportuara” dhe “biomasa” kanë patur rritje përkatësisht me 22 % dhe 3,6 %.

Bilanci fizik tregtar i cili tregon diferencën midis importeve dhe eksporteve për të gjithë kategoritë e materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 771 mijë ton për vitin 2020, duke pësuar rritje me rreth 275,4 mijë ton, krahasuar me vitin 2019. Siç mund të vërehet në Figurën 2, për vitin 2020 produktet e “biomasës”, “materialeve fosile te energjisë” dhe “produktet e tjera dhe mbetjet” kanë bilanc tregtar pozitiv ndërsa produktet “mineralet jo metalike” dhe “mineralet dhe koncentratet metalike” kanë bilanc tregtar negativ.

Tabela 5 tregon varësinë nga importi i metarialeve mjedisore, e cila llogaritet si raporti ndërmjet importeve të materialeve mjedisore dhe inputeve direkte të materialeve (IDM) në ekonominë Shqiptare. IDM vlerësohet si shuma e materialeve të nxjerra nga burimet e brendshme natyrore dhe importeve të materialeve. Gjatë vitit 2020 varësia nga importi i materialeve u vlerësua në 20,9 %, duke shënuar një rritje prej 3,1 pikë përqindje, në krahasim me një vit më parë. Gjatë periudhës 2016 – 2020 varësia nga importi i materialeve është luhatur në kufijtë prej 12,5 % në vitin 2016, deri në 20,9 % në vitin 2020.

Në vitin 2020, materialet fosile të energjisë kishin varësinë më të lartë nga importi, me rreth 47,4 %, të ndjekura nga mineralet dhe koncentratet metalike me 41,9 %. Nga ana tjetër varësinë më të ulët nga importet e kanë mineralet jo metalike me 11,0 %, të ndjekura nga inputet e biomasës me 16,3 %.

Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat sasinë totale vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar. Në 2020, përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 19,3 milionë ton 14 % më pak, krahasuar me vitin 2019. Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe të përdorimit të brendshëm të materialeve mjedisore e zënë produktet e “biomasës” me 43,7 % “mineralet jo metalike” me 41,8 %, “materialet fosile të energjisë” me 7,1 % dhe “mineralet dhe koncentratet metalike”me 7 % si dhe “produkte të tjera” me 0,4 %.

Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore në raport me popullsinë u vlerësua në 6,8 ton / banor, duke shënuar një rënie prej 1,1 ton / banor, krahasuar me vitin 2019, kur kjo vlerëishte rreth 7,9 ton / banor.

Figura e mëposhtme paraqet produktivitetin e burimeve në ekonominë Shqiptare për periudhën 2010 – 2020. Produktiviteti i burimeve llogaritet si raporti ndërmjet prodhimit të brendshëm bruto dhe përdorimit të brendshëm të materialeve mjedisore. Ky raport përfaqëson shumën e lekëve të gjeneruara për çdo kilogram material mjedisor që hyn në ekonominë e vendit. Në vitin 2020, produktiviteti i burimeve arriti vlerën prej 85 Lekë / kg, duke shënuar një rritje prej 9,8 Lekë / kg, krahasuar me vitin paraardhës./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *