Anëtar organizate kriminale në Itali dhe pronar apartamentesh, garazhesh dhe lokalesh në Lushnjë. Por Prokuroria nuk e fal…

Janë të shumtë çunat nga Shqipëria që në 30 vitet e fundit kanë bërë para pa fund në emigrim por me punë të paligjshme, duke sjellë në vend si likuiditet ashtu dhe duke investuar, por pa treguar burimin e të ardhurave.

Por kohët e fundit individë të ndryshëm janë goditur nga ligji dhe institucionet shtetërore, pikërisht sepse u janë konstatuar veprimtari të paligjshme të kryera në vendet e huaja.

Fati i keq i ka rënë edhe një lushnjari, i cili për shumë vite ka bërë para dhe pasuri jashtë shtetit, por tashmë që aktiviteti i tij është zbuluar, ai duhet të bëjë llogaritë edhe me drejtësinë.

Kjo e fundit, më saktë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, i ka vënë në sekuestrim pasuritë këtij shtetasi, të dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Burime nga organi i akuzës bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin F. Abdurrahmani, i dënuar në Itali për veprat penale, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Favorizim e shfrytëzim prostitucioni”.

NJOFTIMI I PROKURORISË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, në bazë të ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ka regjistruar dhe po kryen veprime, për procedimin pasuror nr.3, datë 24.11.2021, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit F.A., i dënuar për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Favorizim e shfrytëzim prostitucioni” në shtetin Italian.

Në funksion të këtij procedimi pasuror, mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin nr.109 (64-2021-2612), datë 28.11.2021, ka vendosur pranimin e kërkesës dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme si më poshtë:

1.Pasuria Nr.22/***, z.k.8*** Lushnje, me sipërfaqe 184.11 m2, e llojit “njësi shërbimi”;

2.Pasuria Nr.22/***, z.k.8***, Lushnje, me sipërfaqe 54.9 m2, e llojit “njësi shërbimi”;

3.Pasuria Nr.18/***, z.k.8***, Lushnjë, me sipërfaqe 130.58m2, e llojit “apartament”;

4.1 (një) garazhd (bodrum) me sipërfaqe 323m2, ndodhur në Lagjen “L****”, Lushnjë;

5.1 (një) lokal shërbimi, me sipërfaqe 64,8 m2

6.3 (tre) apartamente me sipërfaqe respektivisht 78.49m2, 103.76m2 dhe 84.88m2, me vebndodhje në lagjen “G***”, Lushnjë”;

7.Pasuria Nr.22/***, z.k.8***, Lushnje, me sipërfaqe 107.95 m2, e llojit “garazhd”;

Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, është nxjerrë nga prokurori urdhri i ekzekutimit, i cili u është dërguar për ekzekutim/zbatim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Bashkisë Lushnjë.

/Priza.al/

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *