Agresioni rus/ Pushtimi i Ukrainës është lufta më virale në mediat sociale

Ukraina është vendi më i ndërlidhur që është pushtuar ndonjëherë, shkruan The Economist

Me siguri, të gjithë keni parë video që tregojnë pamje nga Ukraina. Në njërën prej tyre, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, qëndron jashtë në një lagje të Kievit, duke mbajtur në dorë celularin smartphone, me kamerën e drejtuar nga vetja dhe disa zyrtarë të lartë.

“Ne jemi të gjithë këtu”, deklaron ai, disa ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin, dërgoi tanket përtej kufirit. Një video tjetër tregon një ushtar ukrainas, në një fushë me dëborë, duke gjuajtur raketa antitank, teksa në sfond dëgjohet një kolonë zanore tekno.

Një tjetër video tregon një grua ukrainase që i afrohet një grupi ushtarësh rusë dhe u thotë të fusin në xhep fara luledielli që të paktën diçka e dobishme të lindë nga trupi i tyre pasi të vdesin.

Të gjitha këto video janë përhapur në internet, duke tërhequr me miliona klikime dhe pëlqime, ripostime dhe remikse. Ato janë bërë pjesë e analeve dixhitale të luftës, krahas fotove të traktorëve ukrainas që tërheqin tanke ruse të braktisura dhe audiove të ushtarëve ukrainas në një ishull në Detin e Zi, që u thonë një flote ruse që po afrohet: “Anija luftarake ruse: vafsh në djall!”, një thënie që tani është kthyer në një slogan protestash në mbarë botën.

Lufta në Ukrainë nuk është “lufta e parë në mediat sociale”, siç nxituan të deklaronin disa komentues. Izraeli dhe Hamasi janë grindur prej kohësh në Twitter. Gjatë pushtimit të mëparshëm të Putinit në Ukrainë, në vitet 2014-2015, detektivët përdorën fotot selfie që kishin postuar më parë në internet ushtarët rusë, për të provuar praninë e tyre në fushëbetejën në rajonin e Donbasit.

(Rusia më pas i ndaloi ushtarët që të mbanin celularë smartphone gjatë detyrës). Lufta në Ukrainë nuk është as konflikti i parë që shfaqet në brezin e ri të rrjeteve sociale si TikTok, i cili filloi në vitin 2016. Videot nga lufta në Siri kanë qarkulluar prej kohësh atje dhe të interesuarit mund të gjejnë gjithashtu shumë klipe nga Nagorno-Karabakh, enklava për të cilën Armenia dhe Azerbajxhani patëm mosmarrëveshje në vitin 2020.

Por Ukraina është bërë shembulli më i gjallë që tregon se si mediat sociale po ndryshojnë mënyrën se si lufta përjetohet dhe përcillet, dhe kjo, nga ana tjetër, mund të ndryshojë vetë rrjedhën e luftës. “Kushdo që mendon se media sociale është e papërfillshme, nuk po i kushton vëmendje luftës dhe politikës në shekullin XXI”, thotë Peter Singer, bashkautor i #LikeWar, një libër që flet për ndërlidhjen midis medias sociale dhe konflikteve moderne.

Biseda online mund të nxisë ndryshime të shpejta në opinionin publik, veçanërisht kur përforcohen besimet para-ekzistuese. Postimet në rrjetet sociale janë bërë një burim thelbësor informacioni për grumbulluesit e informacionit dhe mediat konvencionale.

Media sociale mund të përdoret si një “instrument” për qeveritë, që të arrijnë qëllimet e luftës, thotë Mykhailo Fedorov, ministri i Ukrainës për Transformimin Dixhital, i cili ka përdorur Twitter për të nxitur një “bllokadë dixhitale” ndaj Rusisë nga firmat globale të teknologjisë.

Shtëpia e Bardhë, së fundmi mbajti një konferencë mbi luftën për 30 influencues të rinj në TikTok. “Pavarësisht nëse kjo gjë ju pëlqen apo jo, e vërteta është se shumë njerëz i përdorin këto aplikacione”, thotë Victoria Hammett, e cila mori pjesë në konferencë si anëtare e grupit të aktivistëve, të quajtur Gen-Z for Change.

“Lufta online”

Lufta në Ukrainë është e pranishme në çdo aplikacion online. “Ajo që është e jashtëzakonshme, është shkalla e saj”, argumenton zoti Singer. Tmerri i madh i luftës tërheq natyrshëm vëmendjen. Audienca europiane është veçanërisht e magjepsur, sepse Ukraina është në pragun e tyre, dhe ata gjithashtu kanë frikë nga Vladimir Putini.

Raca dhe psikologjia kanë po ashtu ndikim në këtë mes: audienca perëndimore e identifikon më tepër veten me ukrainasit sesa me sirianët, dhe prandaj njerëzit shikojnë, ripostojnë ose pëlqejnë më shumë postime për Ukrainën.

Por Ukraina është gjithashtu më e ndërlidhur se zonat e tjera të luftës. Rreth 75% e ukrainasve përdorin internetin, sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, pjesë e OKB-së.

Qasja online ka mbetur e qëndrueshme në të gjitha qytetet ukrainase, përveç qyteteve më të goditura. Kur bombarduesit rusë filluan të godasin Sirinë në ndihmë të Bashar al-Assad-it në vitin 2015, vetëm 30% e popullsisë siriane kishte akses online. Në Afganistan, në kohën e tërheqjes amerikane, kjo shifër ishte më pak se 20%.

Evolucioni i mediave sociale dhe teknologjive të komunikimit, luan gjithashtu rol të rëndësishëm. Ndryshimet mund të shihen edhe në Ukrainë: kur Rusia filloi luftën në vitin 2014, vetëm 4% e abonentëve celularë ukrainas kishin akses në rrjete me shpejtësi 3G ose më të lartë; këtë vit, më shumë se 80% janë në rrjete me shpejtësi të lartë, sipas shoqërisë kërkimore Kepios.

Në vitin 2014, vetëm 14% e ukrainasve kishin celularë smartphone, llogarit Kepios; deri në vitin 2020, kjo shifër ishte më shumë se 70%, vlerëson GSMA, një organ i industrisë së telekomunikacionit. Kur Putini filloi pushtimin e fundit, 4.6 miliardë njerëz po përdornin mediat sociale në mbarë botën, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2014.

Tani përdoruesit konsumojnë lajme algoritmike që promovojnë artikujt që tërheqin më shumë interes. Rrjetet sociale kishin kapacitet të kufizuar për të shfaqur video ose transmetime të drejtpërdrejta në vitin 2014, por tani janë plot me video të tilla, një veçori që ukrainasit e kanë shfrytëzuar maksimalisht. “Të gjithë po filmojnë dhe postojnë çdo bombë”, thotë Maria Popova, drejtuese e një firme komunikimi që shpërndan informacion nga Ukraina.

Video të tilla janë faza më e fundit në evolucionin e gjatë të imazheve të luftës. Përpara krijimit të kamerës, artistët duhej të bindnin publikun se i kishin parë vërtet ngjarjet që përshkruanin: “E pashë këtë”, shkroi Francisco Goya nën një nga gravurat në serinë e tij klasike, “Fatkeqësitë e Luftës”.

Fotografët filluan të dokumentojnë konfliktet në mesin e shekullit XIX, por pajisjet e rënda e bënin të pamundur kapjen e luftimeve. Fotografitë zakonisht tregonin vetëm pasojat e luftimeve, si në imazhin e njohur “Lugina e hijes së vdekjes”, nga Roger Fenton, që tregonte një rrugë të mbushur me gjyle gjatë Luftës së Krimesë. Shpikja e kamerave të lehta 35 mm bëri të mundur kapjen e imazheve në vijat e para të luftës.

Gjatë Luftës Civile Spanjolle, fotoreporterët merrnin foto të nxehta të betejave që ndihmuan në mobilizimin e mbështetjes për qëndresën ndaj Frankos, siç ishte fotografia e Robert Capa-s, një ushtari republikan që po rrëzohej në tokë i pajetë. Në kohën e luftës në Vietnam, konflikti u shfaq në televizion. Lajmet kabllore transmetonin drejtpërdrejt luftën e parë të Gjirit. Siç shkroi kritikja Susan Sontag në vitin 2002: “Njerëzit që nuk e kanë përjetuar kurrë vetë luftën, tani mund ta kuptojnë atë, falë këtyre imazheve”.

Fotografitë dhe videot e sotme që mund të ndahen në çast, i çojnë gjërat një hap më tej. Nathan Jurgenson, një teoricien i mediave sociale, i quan imazhe të tilla “foto sociale” dhe “video sociale” dhe mendon se fuqia e tyre nuk varet nga informacioni që përcjellin, por nga përvoja që shprehin. Ato funksionojnë më shumë si mjet komunikimi sesa si dokumentacion.

“Imazhet brenda rrymës sociale, evokojnë më tepër sesa shpjegojnë; ato transmetojnë përvojë, më tepër se fakte”, shkruan zoti Jurgenson. “Raportet e lajmeve përcjellin shumë gjëra të rëndësishme, por skenat që shohim online, janë pamje nga jeta e përditshme e vështirësive të luftës, si radha për të blerë bukë, të cilat të bëjnë të mendosh, dreq o punë, unë mund të isha në vendin e këtyre njerëzve”, thotë Simon Kemp nga firma Kepios.

“Skena të tilla online japin një pamje më njerëzore”.

 

Përshtatja

Ukrainasit janë përshtatur me shkathtësi ndaj mjedisit të ri të informacionit. Këtu ka ndihmuar edhe udhëheqësi i tyre i ri dhe karizmatik Zelensky, një ish-yll televizioni. Mesazhet e tij shpesh thyejnë qasjen formale presidenciale dhe përqafojnë estetikën intime të mediave sociale, në kontrast me armikun e vjetër në Moskë.

“Ai e përdor teknologjinë në një mënyrë shumë njerëzore”, thotë Fedorov, i cili drejtoi operacionet dixhitale për fushatën presidenciale të Zelensky-t në vitin 2019. “Ai dëshiron të përcjellë, dëshiron të përhapë fjalën, të shprehë emocionet e tij – si një njeri normal”.

Zyrtarët në të gjithë Ukrainën kanë ndjekur të njëjtën qasje. Vitaly Kim, guvernatori i Mykolaiv, një rajon i vijës së parë në Ukrainën Jugore, poston video të rregullta të stilit selfie në kanalin e tij në Telegram, një platformë mesazhesh që përdoret gjerësisht si në Ukrainë, edhe në Rusi.

Qeveria ukrainase ka përdorur rrjetet sociale për të ndjekur qëllime të ndryshme. Më 17 mars, ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, sulmoi kompaninë Nestlé, sepse nuk i kishte ndërprerë të gjitha operacionet në Rusi, duke publikuar një imazh që nxirrte në pah kontrastin midis “pozicionit të Nestle”, ku tregohej fotoja e një fëmije të shëndetshëm, dhe “pozitës së Nestle”, ku tregohej fotoja e një fëmije të vdekur.

Ministria Dixhitale krijoi një chatbot në Telegram që i lejon qytetarët të dërgojnë video dhe të tregojnë vendndodhjen e forcave ruse; ai merr rreth 10,000 mesazhe në ditë, të cilat ushtria e Ukrainës i përdor për të plotësuar inteligjencën tradicionale.

“Kudo që të jenë, ne i shohim”, thotë zoti Fedorov. Qeveria përdor mediat sociale për të përhapur gjithçka, nga informacioni për trenat e evakuimit, deri te rrëfimet për ushtarët heroikë. Megjithëse disa rrëfime nuk kanë qenë të vërteta, ato kanë mbetur të fuqishme: ushtarët nga ishulli në Detin e Zi nuk u vranë, pasi thanë fjalinë e famshme, por u kapën rob, dhe kjo nuk e ka dëmtuar aspak reputacionin e tyre si martirë.

 

Qeveria ka marrë shumë ndihmë

Në të gjithë Ukrainën, specialistë të marrëdhënieve me publikun dhe media të ndryshme, janë bashkuar në luftën e informacionit. “Të gjithë janë kthyer në luftëtarë informacioni këto ditë”, thotë Liubov Tsybulska, një këshilltar i qeverisë ukrainase.

Një grup krijon përmbajtje që shënjestron rusët, një tjetër prodhon klipe patriotike për publikun vendas, një tjetër përqendrohet në TikTok, një tjetër nxjerr foto ‘meme’, të tjerë punojnë për të arkivuar foto dhe video nga mediat sociale, duke shpresuar që t’i dërgojnë një ditë në Gjykatën e Krimeve të Luftës.

Qëllimi ynë është që bota të marrë informacion për Ukrainën, drejtpërdrejt nga Ukraina, thotë strategu Serhii Didkovsky. “Ne duam që një francez, i ulur në një kafene në Paris, duke parë Kullën Eifel dhe duke ngrënë briosh, të kuptojë se mund t’i bëjë të gjitha këto, sepse ushtria ukrainase po e mbron”, thotë zoti Didkovsky.

Teksa Ukraina është zhvendosur gjeopolitikisht drejt Perëndimit në vitet e fundit, po ashtu është zhvendosur edhe jeta e saj online. Kur Rusia e pushtoi vendin në vitin 2014, kultura e internetit e Ukrainës, ashtu si ekonomia e saj në tërësi, ishte e orientuar më tepër drejt Rusisë.

Rrjeti social më i njohur ishte VK, një platformë ruse. Por në vitet e fundit, skena teknologjike e Ukrainës ka lulëzuar; shumë zhvillues dhe projektues punojnë për kompanitë e teknologjisë perëndimore. “Ne kemi shumë njerëz që dinë të modelojnë përmbajtje për internetin global”, thotë zoti Didkovsky.

Përdoruesit ukrainas flasin me publikun perëndimor në një gjuhë të përbashkët dixhitale. Një fotografe udhëtimesh me emrin online @valerisssh, ka fituar famë globale me videot e saj në TikTok, ku raporton mbi jetën në Chernihiv, përfshirë një video ku u tregon ndjekësve sesi gatuan makarona në strehën e bombave, me familjen e saj.

Kjo e ka ndihmuar Ukrainën që të fitojë zemrat dhe mendjet në Perëndim. Amerikanët tashmë janë më të prirur të mos e pëlqejnë Rusinë dhe të mbështesin Ukrainën. Në fund të vitit të kaluar, 55% e amerikanëve e shihnin Ukrainën si “miqësore” ose “aleate”.

Dy javë pasi bombat e Putinit filluan të binin, më shumë se 80% e amerikanëve e mendonin këtë, një përqindje më e madhe se ata që mendonin të njëjtën gjë për Francën apo Japoninë, dy aleatë të vjetër. Diplomatët në Europë thonë se ndryshime të ngjashme në opinionin publik kanë ndihmuar në nxitjen e mbështetjes për sanksione më të ashpra kundër Rusisë dhe një qasje më liberale ndaj refugjatëve ukrainas.

Rrëfimet e eventeve në kohë reale kanë ndihmuar gjithashtu të rrisin moralin e ukrainasve. “Ne jemi dëshmitarë se si po lind një pikëpamje e re për Ukrainën dhe kjo na jep forcë, na jep kurajë”, thotë zonja Tsybulska.

Rusia ka ngecur në fushëbetejën e informacionit, po aq sa në atë fizike, pavarësisht reputacionit si një pioniere e përhapjes së keqinformimit. Forcat pushtuese ruse kanë shpërndarë fletushka që u bëjnë thirrje “shokëve” dhe kanë shtënë në dorë stacionet e radiove lokale për të transmetuar fjalimet e zotit Putin.

“Ata po përdorin metoda të vjetruara nga Lufta e Dytë Botërore”, thotë Kristina Berdynskykh, një gazetare e shquar ukrainase me origjinë nga Kherson, një qytet aktualisht nën kontrollin rus. “Informacioni nuk përhapet më në atë mënyrë”. Banorët në qytetet e pushtuara vazhdojnë të shohin televizion dhe të dëgjojnë radio ukrainase online, si dhe përmes Diia-s, një aplikacion i qeverisë ukrainase.

Ata përdorin Telegram për të organizuar protesta dhe për të treguar vendndodhjet e pushtuesve rusë. Videot e protestuesve të paarmatosur që sfidojnë ushtarët rusë janë bërë virale, përfshirë një që tregon një njeri i cili përpiqet të ndalojë një tank me duar.

Në Perëndim, versionet ruse të ngjarjeve nuk kanë fituar popullaritet. Kjo mund të jetë për shkak se realiteti është tepër i zymtë për t’u manipuluar. Platformat perëndimore kanë marrë gjithashtu qëndrime më të ashpra ndaj keqinformimit të përhapur nga media shtetërore ruse.

Por Rusia gjithashtu ka bërë më pak përpjekje për të ndikuar mbi publikun perëndimor, mendon Carl Jack Miller, nga instituti kërkimor në Londër, Demos.

Mbizotërimi i mesazheve miqësore ndaj Ukrainës nuk do të thotë se lufta e informacionit ka përfunduar. “Ideja se Ukraina ka fituar luftën e informacionit nuk mbështetet nga prova empirike”, argumenton Miller.

Studiuesit e pavarur thonë se për shkak se rrjetet sociale nuk pranojnë të ndajnë të dhënat e tyre, është e vështirë të kuptohet me saktësi se si informacioni po përhapet në internet.

“Nuk ka asnjë mënyrë sistematike dhe të besueshme për të parë nëpër këto platforma dhe për të ditur se si duken ekosistemet e informacionit”, ankohet Brandon Silverman, bashkëthemelues i firmës analitike CrowdTangle.

Brenda Rusisë, Putini ka mbajtur një kontroll të ngushtë mbi rrjedhën e informacionit. Twitter, Facebook dhe Instagram janë ndaluar; përdoruesit në TikTok nuk mund të krijojnë përmbajtje të re.

Ligjet e censurës i dënojnë njerëzit deri në 15 vite burg nëse e quajnë luftën në Ukrainë një luftë. Autoritetet ruse kanë krijuar një chatbot në Telegram ku qytetarët mund të informojnë për ata që përhapin “informacione të pasakta”.

Fushatat ruse të keqinformimit duket se synojnë më shumë Azinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, duke krijuar mesazhe që prekin ndjenjat anti-perëndimore ose anti-amerikane në rajon, thotë zoti Miller.

Një ekip në Demos përdori analizën semantike të llogarive dhe zbuloi se aktiviteti rus mbizotëronte më shumë në Afrikën e Jugut dhe Indi. Cyril Ramphosa, presidenti i Afrikës së Jugut, kohët e fundit postoi në Twitter se “lufta mund të ishte shmangur nëse NATO do t’i kishte marrë parasysh paralajmërimet” për zgjerimin drejt lindjes.

Ndërsa lufta bëhet edhe më e përgjakshme, do të rritet edhe nevoja për të tërhequr vëmendjen e publikut online. Perëndimorëve u “pëlqejnë historitë për traktorët dhe tanket, por jo historitë për gratë shtatzëna që vuajnë”, psherëtin zonja Tsybulska.

“Traktorët dhe tanket janë argëtim, por nëse e pranoni se njerëzit po vuajnë, të gjithë duhet të bëjmë diçka”. Fotografitë nuk i dhanë fund luftës duke i bërë të dukshme vuajtjet, siç shpresonin disa në shekullin XIX; as imazhet sociale nuk mund ta bëjnë këtë tani. Megjithatë, ato do të vazhdojnë të merren, të postohen dhe të shpërndahen. Siç tregon Ukraina, jeta reale po jetohet gjithnjë e më shumë online, si në kohë paqeje, ashtu edhe në luftë./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *